Sot përpjekja e 26-të për konstituimin e Kuvendit

Për të 25-tën herë, sot nga ora 10:30 do të tentohet të konstituohet Kuvendi i Kosovës. Kjo do të jetë seanca e 26-të çdo 48 orë që nga 15 prilli.

Lëvizja Vetëvendosje e kanë përsëritur se nuk heqin dorë nga propozimi i Albulena Haxhiut për kryeparlamentare. Kreu i kësaj partie, Albin Kurti tha të martën se propozimi i tyre mbetet i njëjti.

“Ne e kemi dhënë propozimin tonë”, tha Kurti kur u pyet nga gazetarët nëse do ta propozojnë Limajn për kryeparlamentar.

Në anën tjetër kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, të hënën ka thënë se është i gatshëm për të kontribuuar në ndërtimin e një marrëveshje politike që do të zhbllokonte situatën e krijuar dhe do të krijonte stabilitet, shkruan Reporteri.net.

Ai ka përmendur sërish kushtin e tij për pozitën e Kryetarit të Kuvendit.

“Siç kam deklaruar edhe më parë publikisht, NISMA Socialdemokrate ka ofruar partneritet në kuadër të Kuvendit për të garantuar funksionalitet institucional. Ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm për të kontribuar në ndërtimin e një marrëveshjeje politike që e zhbllokon situatën dhe garanton stabilitet. Qytetarët presin zgjidhje dhe qeverisje, jo krizë të përhershme”, ka thënë Limaj.

Derisa dështimi për konstituimin e Kuvendit po vazhdon, partitë politike vazhdojnë ta akuzojnë njëra-tjetrën për bllokadën e krijuar.

Nga PDK, LDK dhe AAK thonë se Vetëvendosje e Albin Kurtit nuk i ka votat dhe e akuzojnë se e ka futur shtetin në izolim.

E propozuara e VV-së për këtë pozitë, Albulena Haxhiu, në asnjë nga votimet s’ka arritur të marrë mbi 57 vota.

Presidentja Osmani pas një takimi që kishte me krerët e partive politike, ka paralajmëruar se mund ta çojë këtë çështje në Kushtetuese, nëse nuk gjindet një zgjidhje.

Tashmë janë bërë mbi tre muaj kur Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare, në të cilat Vetëvendosje doli partia e parë, e pasuar nga PDK, LDK dhe AAK-NISMA./Reporteri.net/

Read Previous

​Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve Viktima

Read Next

Presidentja Osmani takon sot partitë politike