Trent Alexander-Arnold njoftoi të hënën largimin e tij nga Liverpool-i, klubi ku u rrit dhe debutoi si profesionist në vitin 2016. Mbrojtësi i djathtë anglez pritet me shumë mundësi të transferohet te Real Madridi, klub me të cilin është lidhur prej muajsh.
Ndërsa “Reds”, tashmë kampionë, po përgatiten për sfidën ndaj Arsenalit, trajneri Arne Slot ka shprehur zhgënjimin e tij për këtë “firo”, por mbetet optimist për të ardhmen. “Si çdo person që e do Liverpool-in dhe është tifoz i këtij klubi, jam i zhgënjyer nga largimi i tij, sepse nuk po largohet vetëm një djalë i mirë, por edhe një mbrojtës shumë, shumë i aftë”, – tha tekniku holandez në konferencë.
Slot shtoi se beson në fuqinë e klubeve të mëdha për t’u përforcuar: “Nga përvoja ime, kur një lojtar shumë i mirë largohet, zakonisht në një klub të madh vjen një tjetër po aq i mirë. Ndoshta kjo do të ndodhë edhe këtë herë”.
Lajmi ka shkaktuar zemërim mes tifozëve, pasi Alexander-Arnold do të largohet si lojtar i lirë (kontrata i skadon në qershor). Slot u përpoq ta qetësonte situatën: “Është normale që njerëzit të kenë opinione për ne; për Trent, për mua apo për këdo tjetër në këtë profesion.
Ndoshta për të është ndryshe tani, ndoshta komentet janë pak më negative se zakonisht. Sidoqoftë, unë nuk jam këtu për t’iu thënë tifozëve si duhet të reagojnë”. /Telesport.al/