Fan S. Noli ishte kush ishte. Poema “Skënderbeu” e poetit të madh amerikan, Henry Longfellow, marrë nga vepra e tij “Historitë e një Hani pranë Udhës”, Boston 1891, në shqipërimin brilant të Nolit, u erdhi shqiptarëve si libër më vete, me 32 faqe, në botim të “Vatrës”, në shtator të vitit 1916, me dy tekste, anglisht e shqip, dhe me shënime kritike e historike. Këtë botim Fan Noli ia kushton Faik Konicës. Njohësit e thonë që poema “Skënderbeu” e poetit të madh amerikan është një kryevepër për heroin tonë kombëtar dhe për epokën mahnitëse të rezistencës shqiptare kundër pushtimit osman
A e shkroi Longfellow “Skënderbeun” i nxitur nga Dora d’Istria?
Dora d’Istria, nga Amerika ku po qëndronte për vizitë, në njërën prej letrave që ia dërgon Jeronim de Radës, i shkruan për takimin dhe darkën që ka pasur me poetin e madh amerikan Henry Wadsworth Longfellow (1807-1882) dhe për temën e Skënderbeut që e kanë biseduar me të. Letra nuk është e gjatë dhe ia vlen ta riprodhojmë të plotë për arsyet e patriotizmit e të miqësisë së këtyre dy personaliteteve të posaçme të kulturës sonë, po edhe për arsyet e këtij shkrimi.
Boston (Massachusetts), 31 korrik 1880
“Zotëri,
Po ju shkruaj vetëm dy fjalë, sepse këtu ndodhem në një vorbull të përhershëm, por dua t’ju them se e kam marrë letrën tuaj në Amerikë, se kam pasur një udhëtim të mrekullueshëm me det, se jam fare mirë me shëndet dhe se poeti i madh Longfellow, që më ftoi para disa ditësh për darkë, më premtoi se do të shkruajë së shpejti një poemë mbi Skënderbeun. Porsa ta ketë të shkruar, unë do të jua dërgoj. Në muajin tetor do të kthehem në shtëpinë time në Firence. Dua të besoj që punët e Shqipërisë sonë të dashur do të kenë përfunduar deri atëherë.
Pranoni, Zotëri, sigurimin për ndjenjat e mia vëllazërore”.
Dora d’Istria
Besoj që edhe lexuesit më të zakonshëm e dinë që ka një poemë madhështore, “Skënderbeu”, autor i së cilës është poeti i madh amerikan Longfellow. Gjithë ata studiues që e përmendin këtë poemë e cilësojnë si një kryevepër për heroin tonë kombëtar. Po citoj nga FESH, vëll. II, f. 1553, Tiranë, 2008: “Henry Wadsworth Longfellow (1807- 1882), poet amerikan me veprimtari shumë të gjerë letrare. Shkroi vjersha, romane, pjesë teatrore, u mor edhe me përkthime nga letërsia klasike e popujve europianë. Nën nxitjen e Dora d’Istrias hartoi poemën romantike ‘Skënderbeu’ (1873) me temën e kthimit të heroit në Krujë pas betejës së Nishit. Kryetrimin poeti e ka paraqitur si një hero legjendar. Vepra është shqipëruar në mënyrë mjeshtërore nga F. S. Noli (1916)”. Autor i këtij teksti është Muzafer Xhaxhiu. Ndërmjet letrës së Dora d’Istrias dhe tekstit të M. Xhaxhiut ka shpërputhje, që shfaqen edhe tek autorë të tjerë. Ndër të tjerë, edhe vetë e kam përsëritur ngjashëm te libri im “Skënderbeu/Scanderbeg”, (ARBI Ltd, 2006, Prishtinë), ku i kam dhënë paralel origjinalin anglisht dhe shqipërimin e Nolit të kësaj poeme brilante, por edhe në librin “Letërkëmbime të Rilindjes Kombëtare Shqiptare” (S. Blakaj, I. Ismaili, ARBI Ltd-VATRA, 2017, Prishtinë-Nju-Jork), etj. Mospërputhja e dukshme është më datat. Letra e Dora d’Istrias ka datën 31 korrik 1880, ku thotë që Longfellow i ka premtuar që së shpejti do të shkruajë një poemë për Skënderbeun dhe se do t’ia dërgonte J. de Radës sa ta ketë gati poeti.
Familja ime, konkretisht vajza ime Paraylla, që jeton e punon në Washington DC, e ka botimin “Complete Poems” të Longfellowt të vitit 1873, dhe aty është poema për Skënderbeun, prandaj edhe e ka blerë. D.m.th. viti i daljes së kësaj vepre është po ai që shënon FESH-i, 1873. Tani çka të bëjmë me letrën e Dora d’Istrias? Nuk qenka shkruar kjo poemë e mrekullueshme me nxitjen e saj!? Si është krijuar kjo shpërputhje e ky keqkuptim?
Unë vetëm po e përmendi e ndoshta dikush i del zot shpjegimit, pa menduar se ndërron gjë në lumturitë e në fatkeqësitë tona. Të thuash se nuk janë marrë vesh si duhet evropiania erudite e poliglote me amerikanin si Longfellow, duket e pabesueshme. Deri aty ai ishte kush ishte dhe kishte përkthyer kryevepra të letërsive evropiane, madje edhe “Komedinë Hyjnore” të Dante Aligierit, kurse ajo vetë ishte me një kulturë pabesueshëm të gjithanshme. Pikëpyetjet e mësipërme dhe të tjerat në vijim, megjithatë, mbesin.
Jeronim de Rada dhe Dora d’Istria, një patriotizëm e miqësi shembullore
Njohja, respekti, miqësia e përkushtimi atdhetar për Shqipërinë e prejardhjes është e rrallë midis intelektualëve të nivelit si Dora d’Istria e Jeronim de Rada. Rrafsh 108 letra të letërkëmbimit të Dora d’Istrias me të janë gjetur në trashëgiminë kulturore të Jeronim de Radës. Letërkëmbim që ka zgjatur midis viteve 1859-1887, plot 28 vjet. Letra të saj për arbëreshin e mikun e jashtëzakonshëm dërguar nga Zvicra, Livorno, Venediku, Gjenova, Torino, Rapalo, Firence, madje edhe nga Amerika. Me 1978, Ahmet Kondo ka botuar në Tiranë 62 nga 108 letrat e saj dërguar J.de Radës. Nga letrat që njihen, normalisht. Letrat ndodhen në Fondin Elena Gjika në Arkivin Qendror Shtetëror në Tiranë. Edhe shumë vlera e dokumente të tjera të rëndësishme ishin brenda asaj trashëgimie. Midis tyre edhe kryeletra të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, pra letra shqip që Sami Frashëri i dërgonte nga Stambolli më 22 shkurt 1881 Jeronim de Radës në Kalabri. Një margaritar i vërtetë. Kopjen e origjinalit e kemi botuar, ndoshta për herë të parë, në librin “Letërkëmbime të Rilindjes Kombëtare Shqiptare”. Nga pasardhësit e arbëreshit të madh ato i ka blerë Qeveria shqiptare diku më 1953./koha.net/