Si u zbuluan autorët e dy grabitjeve në Gjakovë? Policia publikon detajet e hetimit

Policia e Kosovës ka publikuar detaje të reja lidhur me dy grabitjet e armatosura në argjendaritë e Gjakovës, për të cilat dy persona të dyshuar janë arrestuar më 17 nëntor 2026.

Sipas komunikatës së Policisë, dy grabitjet kanë ndodhur më 5 dhe 16 nëntor, në lokacione të ndryshme të qytetit të Gjakovës. Në të dy rastet, të dyshuarit kanë qenë të maskuar dhe të armatosur.

Grabitja e parë ishte raportuar më 5 nëntor, rreth orës 17:15, në rrugën “Nënë Tereza”. Sipas Policisë, dy persona të maskuar dhe të armatosur, nën kërcënimin e armës, kishin grabitur nga pronari i një argjendarie një sasi ari dhe para të gatshme. Vlera e arit të grabitur ishte rreth 30 mijë euro, ndërsa paratë e gatshme rreth 2 mijë euro, sipas deklarimit të ankuesit.

Ndërkaq, rasti i dytë kishte ndodhur më 16 nëntor, rreth orës 16:50, në rrugën “Izet Hima”, në Çarshinë e Madhe në Gjakovë.

Sipas përshkrimit të Policisë, në këtë rast dy persona të maskuar dhe të armatosur kishin hyrë në argjendari. Njëri prej tyre dyshohet se ishte i pajisur me një armë të gjatë, që dyshohet të jetë e tipit AK-47, ndërsa tjetri me një çekan.

Të dyshuarit fillimisht kishin kanosur personat e pranishëm, duke ua drejtuar armën. Më pas, njëri prej tyre ishte afruar te raftet ku ekspozohej ari, ndërsa tjetri kishte thyer me çekan xhamin e vitrinës dhe kishte marrë një sasi stolish ari, kryesisht zinxhirë.

Gjatë ngjarjes, njëri nga personat e pranishëm kishte tentuar t’ia shmangte armën të dyshuarit. Në atë moment, sipas Policisë, i dyshuari kishte shtënë me armë zjarri, duke e plagosur atë në këmbën e djathtë. I plagosuri kishte marrë trajtim mjekësor dhe kishte qenë jashtë rrezikut për jetë.

Pas grabitjes, të dyshuarit ishin larguar fillimisht në këmbë në drejtim të Sheshit të Çarshisë së Vjetër, ndërsa më pas dyshohet se kishin hipur në një veturë të tipit Golf 7, me ngjyrë të bardhë.

Arrestimi i dy të dyshuarve dhe bastisjet

Policia ka bërë të ditur se, pas veprimeve intensive hetimore dhe operative, përfshirë sigurimin dhe analizimin e pamjeve të kamerave të sigurisë, është arritur të sigurohen dëshmi për identifikimin e personave të dyshuar dhe veturës që dyshohet se ishte përdorur në grabitje.

Më 17 nëntor, Sektori Rajonal i Hetimeve në Gjakovë, në asistim të Njësisë së Reagimit të Shpejtë dhe patrullave të stacionit policor, ka realizuar bastisje në pronën e njërit prej të dyshuarve, A. U., i lindur në Gjermani dhe me banim në komunën e Deçanit.

Gjatë bastisjes, sipas Policisë, është gjetur vetura që dyshohet se është përdorur në grabitje, një armë zjarri dhe një sasi e konsiderueshme parash të gatshme.

Kontroll është kryer edhe te personi tjetër i dyshuar, L. I., nga komuna e Deçanit, ku gjithashtu janë gjetur prova që lidhen me veprën penale të grabitjes së armatosur.

Çfarë u sekuestrua nga Policia?

Sipas komunikatës zyrtare, deri më tani janë sekuestruar:

  • 7,330 euro para të gatshme;
  • 100 dollarë amerikanë;
  • Një veturë e tipit Golf 7;
  • Një sasi ari;
  • Dy telefona;
  • Veshmbathje që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjeve.

Policia ka bërë të ditur se, bazuar në provat dhe dëshmitë e siguruara, dy personat e arrestuar dyshohen se janë të përfshirë në të dy grabitjet e argjendarive në Gjakovë.

Operacioni, sipas Policisë, ende është në zhvillim, ndërsa veprimet e mëtejshme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë kompetente.

Read Previous

Klopp e lavdëron Grudën për paraqitjen ndaj Holandës