Grabitje me armë dhe dhunë në familje gjatë 24 orëve të fundit në Gjakovë
Dy persona të maskuar kanë grabitur stoli ari në një lokal në Gjakovë, ndërsa gjatë ngjarjes një person dyshohet se është plagosur me armë zjarri në këmbë.
Sipas raportit 24-orësh të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, grabitja ka ndodhur më 16 nëntor, rreth orës 16:50. Dy të dyshuarit, njëri i armatosur me armë zjarri dhe tjetri me çekan, kanë hyrë në lokalin ku ndodheshin dy viktima meshkuj dhe, nën kërcënimin e armës, kanë marrë stoli ari.
Gjatë grabitjes, njëri nga të dyshuarit dyshohet se ka plagosur në këmbë njërin nga viktimat. Policia ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar.
Ndërkohë, një rast i dhunës në familje është raportuar po ashtu në Gjakovë. Më 16 nëntor, rreth orës 15:35, është arrestuar një person i dyshuar për ushtrim të dhunës psikike dhe fizike ndaj një gruaje.
Sipas Policisë, viktima ka refuzuar tretmanin mjekësor. Me vendim të prokurorit, palët janë liruar, ndërsa rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt.
Raporti i plotë i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë:
INCIDENTET KRIMINALE
- GRABITJE – Gjakovë / 16.11.2026 – 16:50. Është raportuar se dy persona të panjohur dhe të maskuar njëri me një armë zjarri dhe tjetri me një çekan, kanë hyrë në lokalin e dy viktimave meshkuj kosovarë dhe nën kërcënimin e armës kanë grabitur stoli ari. Njëri nga të dyshuarit dyshohet se ka plagosur në këmbë viktimën mashkull kosovar. Rasti është duke u hetuar.
- DHUNË NË FAMILJE – Gjakovë / 16.11.2026 – 15:35. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti dyshohet se kishte ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj viktimës femër kosovare. Viktima ka refuzuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt. /tvsyrivision/