Arrestohen dy të dyshuarit për grabitjen e armatosur në Gjakovë

Dy persona të dyshuar për grabitjen e armatosur në një argjendari në Çarshinë e Madhe në Gjakovë janë arrestuar, ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Përmes një njoftimi, Sveçla ka bërë të ditur se dy të dyshuarit fillimisht janë identifikuar mbrëmjen e së hënës, ndërsa janë arrestuar gjatë ditës së sotme, pas një pune hetimore nga Policia e Kosovës, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Prokuroria.

Sipas ministrit, gjatë arrestimit të të dyshuarve janë sekuestruar edhe armët e përdorura në kryerjen e veprës, si dhe një sasi e konsiderueshme parash.

Grabitja e armatosur kishte ndodhur të hënën në Çarshinë e Madhe në Gjakovë, ku gjatë incidentit pati të shtëna me armë zjarri dhe një person mbeti i plagosur. I plagosuri kishte marrë trajtim mjekësor dhe ndodhej jashtë rrezikut për jetë.

Sveçla ka vlerësuar punën e institucioneve të përfshira në hetim, duke theksuar se arrestimi i të dyshuarve dëshmon angazhimin e institucioneve për ruajtjen e sigurisë publike.

Njoftimi i plotë i ministrit Xhelal Sveçla:

Zbulueshmëri rekorde e autorëve të grabitjes së armatosur në Gjakovë.

Falë punës intensive hetimore dhe veprimit efikas të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, AKI-së dhe Prokurorisë, mbrëmë janë identifikuar, ndërsa sot janë arrestuar dy të dyshuarit për grabitjen e armatosur të kryer dje në mesditë në Gjakovë, gjatë së cilës u plagos një qytetar dhe u rrezikua siguria e të tjerëve. Të njejtëve u janë sekuestruar edhe armët e krimit dhe sasi e konsiderueshme e parave.

Ky rezultat dëshmon profesionalizmin dhe përkushtimin e Policisë së Kosovës, por njëkohësisht përcjell një mesazh të prerë për këdo që zgjedh rrugën e kriminalitetit. Askush që kryen vepra kriminale nuk mund t’i shmanget drejtësisë. Çdo kryes do të identifikohet dhe do të japë përgjegjësi para organeve të drejtësisë.

Nuk do të lejojmë që individë të tillë të cenojnë sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve tanë. Sundimi i ligjit dhe mbrojtja e jetës dhe pronës së qytetarëve mbeten të panegociueshme. /tvsyrivision/

Read Previous

Shefi i sigurisë kibernetike në Zvicër paralajmëron: Sulmet kibernetike po bëhen gjithnjë e më agresive

Read Next

Inteligjenca amerikane: Irani po harton plane për sulme në Uashington