Si ndikon ndryshimi i klimës në valët e nxehtësisë?

Ndërsa nxehtësia ekstreme vazhdon të përfshijë pjesë të mëdha të Evropës, Euroverify shqyrton provat që lidhin ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu me valët më të nxehta dhe më të qëndrueshme të nxehtësisë.

Disa vende evropiane pritet të përjetojnë sërish temperatura të larta të mërkurën, pasi zonat e presionit të lartë vazhdojnë të mbizotërojnë nëpër kontinent. Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat skajshmërish të nxehta po bëhen norma.

“Nxehtësia ekstreme nuk është më një ngjarje e rrallë – ajo është bërë norma e re,” tha gjatë kësaj jave sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

Temperaturat jashtëzakonisht të larta që po mbulojnë Evropën shkaktohen nga një “kupolë nxehtësie”, një fenomen ku presioni i lartë qëndron mbi një zonë të madhe, duke bllokuar ajrin e nxehtë.

Por, deri në çfarë mase ngrohja globale e shkaktuar nga njeriu – për shkak të dekadave të ndotjes nga karburantet fosile – po përkeqëson episodet e tilla të nxehtësisë ekstreme, është gjithashtu objekt shqyrtimi. Shkencëtarët paralajmërojnë që të mos i atribuohen drejtpërdrejt ngjarjeve të veçanta të motit ndryshimeve klimatike: këto episode ndodhin pavarësisht.

Megjithatë, ekziston një konsensus shkencor se ngrohja globale po bën valët e nxehtësisë më të shpeshta, më intensive dhe më të gjata, me pasoja potencialisht të rënda për shëndetin e njerëzve.

Valët e nxehtësisë më të nxehta kanë ardhur për të qëndruar

Hulumtuesit në Carbon Brief së fundmi hartuan çdo studim shkencor të publikuar që detajon se si ndryshimet klimatike kanë ndikuar në motin ekstrem.

Kjo analizë përfshiu 116 ngjarje të lidhura me nxehtësinë në Evropë. Nga ky total, shkencëtarët vlerësuan se 110 prej tyre (95 për qind) janë bërë më të rënda ose më të mundshme për shkak të ndryshimeve klimatike.

Valët e nxehtësisë në muajin qershor janë rreth dhjetë herë më të mundshme tani krahasuar me periudhën para-industriale për shkak të ndikimit të ndryshimeve klimatike, vlerësojnë shkencëtarët nga World Weather Attribution.

Të tjerë thonë se ngjarjet atmosferike që shkaktojnë valët e nxehtësisë janë trefishuar në forcë dhe gjatësi që nga vitet 1950.

Valët e nxehtësisë përcaktohen si një periudhë e zgjatur – zakonisht të paktën tre ditë – me temperatura më të larta se zakonisht. Kjo do të thotë që temperaturat kufitare për një valë nxehtësie ndryshojnë mes vendeve dhe madje brenda kufijve të tyre.

Për shembull, në Athinë temperatura duhet të arrijë 39 gradë Celsius për një periudhë të zgjatur që të konsiderohet valë nxehtësie. Në Helsinki, mjafton që temperatura të jetë 25 gradë Celsius që të plotësohen kriteret.

Këto ngjarje ndodhin më shpesh sepse temperatura mesatare është përgjithësisht më e lartë për shkak të ndryshimeve klimatike, duke e bërë më të mundshme që të krijohen kushtet për valë nxehtësie.

Valerio Lucarini, shkencëtar i klimës në Universitetin e Leicesterit, shpjegon se devijimet nga modelet e pritura të motit janë tani gjithashtu shumë më “të qëndrueshme”.

“Ndryshimet në dinamikën e atmosferës çojnë në një probabilitet më të lartë të asaj që quhet rrjedha e bllokuar,” shpjegon profesori Lucarini, duke iu referuar sistemeve statike me presion të lartë që shkaktojnë periudha të gjata nxehtësie, “këto modele lejojnë krijimin e anomalive të mëdha të temperaturës, dhe qëndrueshmëri të tyre”.

Valët e nxehtësisë në Evropë janë potencialisht deri në 2.5 gradë Celsius më të nxehta dhe më të thata se ngjarjet e ngjashme në vitet e fundit, për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu, sipas një studimi të udhëhequr nga profesori Lucarini dhe një grup akademikësh evropianë për ClimaMeter.

“Momentalisht po përjetojmë një valë nxehtësie rekord në kontinent, dhe është më e ngrohtë nga sa do të ishte për shkak të ndryshimeve klimatike,” tha Samatha Burgess, Zëvendës Drejtoreshë e Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike Copernicus të BE-së për Euronews.

“Kjo valë nxehtësie është e jashtëzakonshme për tre arsye: intensiteti i temperaturave maksimale të parashikuara për zona të mëdha, shtrirja gjeografike e anomalive të ngrohta dhe sa herët ka ndodhur kjo gjatë periudhës së verës,” shpjegoi ajo.

Burgess shtoi se periudhat e nxehtësisë ekstreme, jashtëzakonisht herët dhe vonë në verë, po bëhen më të shpeshta, duke zgjatur kohën e vitit kur ekziston rreziku i stresit të rëndë nga nxehtësia.

Evropa është veçanërisht e prekshme

Evropa është kontinenti që ngrohet më shpejt, me një rritje mesatare të temperaturave prej rreth 0.5 gradë Celsius për dekadë, krahasuar me 0.2 gradë Celsius globalisht.

Afërsia e saj me Arktikun, që është pjesa më shpejt e ngrohur e planetit, kontribuon në këtë ngrohje të shpejtë, duke e bërë më të prekshme ndaj valëve të nxehtësisë.

Nga 30 valët më të rënda të nxehtësisë që kanë goditur Evropën midis viteve 1950 dhe 2023, 23 prej tyre kanë ndodhur që nga viti 2000, sipas Qendrës Rajonale për Klimën të Organizatës Botërore të Meteorologjisë (WMO).

Shkencëtarët besojnë gjithashtu se Evropa jugore dhe Mesdheu janë veçanërisht të ekspozuara për shkak të vendndodhjes gjeografike midis subtropikëve të thatë të Afrikës së Veriut dhe pjesëve më të lagështa të veriut të Evropës.

Një studim i vitit 2020 përfundon se kjo sjell presion sipërfaqësor të pazakontë të lartë mbi Detin Mesdhe, si dhe ajër të nxehtë dhe të thatë nga Sahara drejt Marokut dhe Evropës jugperëndimore. Kjo rezulton në pranvera më të thata dhe favorizon thatësira dhe valët e nxehtësisë gjatë verës.

Shkencëtarët thonë gjithashtu se ndryshimi në sjelljen e rrjedhës ajrore të njohur si “jet stream” – rrjedhat e shpejta që rrethojnë planetin nga perëndimi në lindje – mund të shpjegojë pse Evropa dhe Amerika e Veriut janë gjithnjë e më shumë të ekspozuara ndaj valëve të nxehtësisë, të cilat ndonjëherë ndodhin në të njëjtën kohë.

Një fenomen i njohur si “rrjedha e dyfishtë e ajrit” – ku rrjedha ajrore ndahet, duke lënë ajrin e nxehtë të qëndrojë mbi kontinent – është përgjegjës kryesisht për rritjen e valëve të nxehtësisë në Evropën Perëndimore, thanë studiues gjermanë në vitin 2022.

Po valët e nxehtësisë në oqean?

Sipërfaqet tokësore në Evropë ngrohen më shpejt se oqeani, por Mesdheu po përjeton aktualisht temperatura rekord të sipërfaqes së detit, përfshirë edhe për muajin qershor.

“Kur uji i detit është i ngrohtë, avullon më shumë dhe ngroh atmosferën mbi të. Dhe me këtë avullim, krijon më shumë energji potenciale për stuhitë. Kështu ka një ndërveprim mes atmosferës dhe oqeanit,” shpjegoi Samantha Burgess.

Profesori Lucarini theksoi se vala aktuale e nxehtësisë ka përputhur me një periudhë me temperatura abnormale – 4 deri në 5 gradë Celsius më të larta se mesatarja – në disa pjesë të Mesdheut.

“Po shohim anomalitë e mëdha të temperaturave të sipërfaqes së detit në gjithë Detin Mesdhe Perëndimor dhe në Atlantikun Lindor,” shpjegoi ai.

“Merrni Francën, ajo rrethohet nga ujëra tepër të nxehtë, kështu që natyrisht është shumë më e prirur të ketë anomalitë e temperaturave të gjata dhe të qëndrueshme në tokë, si dhe stuhi shumë të forta”, theksoi profesori.

Pasojat afatgjata

Vlerësohet se moti i ftohtë shkakton deri në dhjetë herë më shumë vdekje në Evropë sesa nxehtësia. Por, ndryshimet klimatike mund të rrisin numrin e vdekjeve të shkaktuara nga nxehtësia.

Një studim i Komisionit Evropian parashikon se, pa masa për zbutjen dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, numri i viktimave nga nxehtësia ekstreme në Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar mund të shumëfishohet tridhjetë herë deri në fund të këtij shekulli.

Në të njëjtën kohë, vdekjet e shkaktuara nga nxehtësia në Evropën jugore pritet të jenë 9.3 herë më të shpeshta sesa në Evropën veriore, krahasuar me gjashtë herë më të shpeshta që janë tani.

Nxehtësia ekstreme mund të shkaktojë gjithashtu ngjarje të tjera ekstreme klimatike, si stuhitë subtropikale, thatësira dhe zjarret e egra.

“Sa më e lartë të jetë temperatura, aq më shumë avullim ka nga lagështia e tokës. Dhe sa më e thatë të jetë toka, aq më e thatë është dhe bima mbi të, që do të thotë se rreziku nga zjarret është shumë më i madh,” tha Burgess, duke shtuar se kjo “nuk do të thotë medoemos se do të shkaktohet zjarr, sepse ne ende kemi nevojë për një burim ndezës.”

Kjo nënkupton se Evropa duhet të jetë gjithnjë e më shumë e përgatitur për valët e nxehtësisë dhe pasojat e tyre, si nga pikëpamja shëndetësore ashtu edhe nga ajo e sigurisë publike. /Telegrafi/

Read Previous

FSK-së të premten i shtohen kadetët, diplomon gjenerata e 2025-ës

Read Next

Messi drejt largimit nga Inter Miami?