Shtyrja e zgjedhjeve në Veri, paralajmërohet ashpërsim i masave ndaj Kosovës

Në komunat veriore të Kosovës mund të ketë shpejt zgjedhje të parakohshme.

Shpresë për këtë dha të hënën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Bled të Sllovenisë ku po merr pjesë në Forumin Strategjik të Bledit – BSF 2023.

Hapat, që i hapin rrugë mbajtjes së tyre, sipas janë marrë.

“Tash e dy muaj në komunat veriore të Kosovës nuk ka pasur ndonjë protestë apo incident të dhunshëm. Kemi ulur dy herë me nga 25 për qind praninë e Policisë së Kosovës në dhe përreth këtyre objekteve komunale”, është shprehur Kurti.

Dyshime ka Avni Arifi, ish-kryenegociator i Kosovës në bisedimet me Serbinë.

“Kosova me marrëveshjen e Bratislavës ka marrë obligim për zgjedhjet në Veri. Këtë Kosova nuk po e implementon apo po bëhet kinse po e implementon me do udhëzime administrative që konsiderohen shpesh si tallje me BE”, theksoi Arifi për Front Online.

Andaj ky nuk pret që të hiqen masat e Unionit të vendosura ndaj Kosovës.

“Masat nuk do të tërhiqen, përkundrazi ka gjasa që të ashpërsohen. Shpallja e zgjedhjeve nuk ka ndodhe dhe mungesa e draftit të Asociacionit”, tregoi Arifi për Front Online.

BE i bën apel si Kosovës, ashtu dhe Serbisë që të marrin masa për de-përshkallëzim.

“BE-ja nënvizon deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë në emër të BE-së të datës 3 qershor 2023, i cili i kërkoi Kosovës dhe Serbisë që të marrin masa për të de-përshkallëzuar dhe të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pakoordinuar. Kosova u angazhua për këto parime në Bratislavë në korrik 2023”, u shprehen nga BE Front Online .

Bashkimi Evropian pati këtë përgjigje kur u pyet nëse do t`i heq masat e vendosura ndaj Kosovës.

“Sa i përket masave, ne e kemi bërë mjaft të qartë qëndrimin tonë gjatë ditëve dhe javëve të fundit, dhe nuk ka asgjë të re që do të dëshironim të shtonim në këtë fazë”.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku i sheh si të ndërlidhura sanksionet dhe zgjedhjet.

“Do duhej gjetur një rrugë politike për të shkuar në zgjedhje sa më shpejt në Veriun e Kosovës, e jo duke zvarritur punën përmes akteve nën ligjore. Masat janë vënë, por vështirë të hiqen për Kosovën së paku deri sa kryhen zgjedhjet lokale në Veriun e Kosovës”, u shpreh ai.

KQZ nuk ka treguar nëse janë gati për organizimin e zgjedhjeve në Veri.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka folur për Kosovën dhe Serbinë gjatë fjalimit të tij para ambasadorëve.

Ai ka kërkuar nga të dy palët angazhim për mbajtjen e zgjedhjeve në Veri, kthimin e serbëve në institucione, derisa ka përmendur edhe asociacionin.

/eo/

Read Previous

Gjermania pritet të ndajë 2.4 miliardë euro për skemën ‘Kontributi Bazë për Fëmijët’

Read Next

Dhjetë klubet me shpenzimet neto më të mëdha këtë sezon, shumë befasi në listë