Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), kanë marrë vendim që ta shtyjnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ankesën e Nasim Haradinajt.
Sipas DhSK-së, ky vendim është marrë për shkak të parashtrimeve shtesë të palëve.
“Më 11 janar, Paneli i Gjykatës Kushtetuese i ngarkuar me referimin e Haradinajt, i dorëzuar në nëntor të vitit të kaluar, vendosi të shtyjë vendimin e tij në këtë çështje derisa të pranojë parashtrimet shtesë nga palët, përkatësisht parashtrimin e ZPS-së lidhur me referimin si dhe përgjigjen e saj ndaj kërkesës më të fundit të Haradinajt për pranimin e një prove të re”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.
Ndërsa, kanë pasur kërkesë nga mbrojtja që të dorëzojë përgjigjen e saj në raport me vendimin e ZPS-së, nëse dëshiron ta bëjë këtë.
Më 14 dhjetor, është liruar ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj.
Lirimi i tij është bërë me vendim të presidentes së Dhomave të Specializuara, Katarina Trendafilova.
Në vendimin e Speciales thuhet se pasi është shqyrtuar tërësia e informacionit që i është paraqitur, përfshirë raportin, është vendosur për lirimin e Haradinajt.
“Për marrjen e vendimit, kryetarja u këshillua me gjykatësit e paneleve që dhanë dënimin sikurse parashihet në nenin 51(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (“Ligji”), mori parasysh faktorët e rregullës 196(3) të Rregullores së Procedurës dhe Provave si dhe seancën që mbajti me z. Haradinaj”.
“Gjithashtu, sikurse u përcaktua në vendimin e saj të mëparshëm të 12 tetorit 2023 lidhur me uljen, modifikimin ose ndryshimin e dënimit të z. Haradinaj, kryetarja mori parasysh edhe raportin e dorëzuar nga administratorja në lidhje me sjelljen e z. Haradinaj në objektin e paraburgimit”.
Sipas Speciales, Haradinaj ka “reflektuar” për veprimet e tij gjatë kohës sa ndodhej në paraburgim.
Kur u arrestua Nasim Haradinaj?
Gucati së bashku me Nasim Haradinajn ishin dënuar nga Gjykata Speciale me katër vjet e gjysmë burgim, secili veç e veç, më 18 maj të vitit 2022.
Gucati e Haradinaj u shpallën fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Ata ishin arrestuar në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara.
Më 18 maj të 2022-ës, Albanian Post kishte realizuar një intervistë me bashkëshortën e Nasim Haradinaj e cila vendimin e marrë nga Specialja e kishte konsideruar si tejet të rëndë, por më të rënda i kishte vlerësuar fjalët që ishin thënë në seancë.
Vendimi për dënimin e Gucatit e Haradinajt kishte qenë vendimi i parë i ndërmarrë nga Specialja prejse është themeluar para gjashtë vjetësh.
/albanianpost/