Është shtyrë sërish seanca ndaj ish-kryeministrit, Sali Berisha, në Gjykatën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kjo, pasi avokatët e tij kërkuan kohë për t’u njohur me dosjen.
Teksa, avokatët Sokol Mëngjesi dhe Genc Gjokutaj, të cilët përfaqësojnë Berishën, kanë kërkuar sërish edhe përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga çështja.
Ka qenë Gjokutaj, ai i cili pas shtyrjes së seancës, ka mbajtur edhe një fjalë për media.
Sipas tij, i gjithë procesi është politik dhe gjyqtarja Irena Gjoka duhet përjashtuar nga çështja.
“Kemi ardhur në dijeni përmes shtypit grek për vendimin e Gjykatës së Athinës që pohon ndalimin e gjyqtares që të hyjë në zonën Schengen për 10 vite. Kjo nuk është deklaruar në formularin e deklarimit. Ne kemi kërkuar që gjyqtarja Irena Gjoka të largohet nga kjo çështje. Ne do të bëjmë kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Gjoka”, përmendi ai.
Më 8 prill, GJKKO-ja rrëzoi kërkesat për revokim të masave për Sali Berishën dhe Jamarbër Malltezin.
Berisha dhe dhëndri i tij i ishin drejtuar Gjykatës së Posaçme për zëvendësimin e këtyre masave me masë me të lehtë siç është ajo e detyrimit për tu paraqitur.
Në kërkesën e drejtuar gjykatës avokatët e tyre argumentuan se në këtë fazë që ndodhet hetimi janë zbutur nevojat për mbajtjen e tyre në masën “arrest shtëpie” dhe për këtë arsye kërkuan vendosjen e një mase me të lehtë.
Nesër ndërkaq pritet të mbahet një seancë në Gjykatën e Lartë, në lidhje me një nga kërkesat e Berishës për masën e sigurisë.
Me çfarë ka të bëjë konkretisht çështja e Berishës?
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) do të zbulonte përmes një njoftimi zyrtar detajet hetimore lidhur me privatizimin e ish-kompleksit të klubit Partizani.
Në mesin e të akuzuarve ishin ish-kryeministri Sali Berisha me veprimet e tij konkrete për të bërë që dhëndri i tij Jamarbër Malltezi të përfitonte nga kjo skemë e parregullt.
Më saktë, objekti i hetimit të këtij procedimi penal, sipas SPAK-ut, ishin veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë, për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani” dhe “Klubit Shumësportësh Partizani”.
Prokuroria e Posaçme dyshon se Berisha ka konsumuar veprën penale të ‘Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë’, e kryer në bashkëpunim me shtetasin Jamarbër Malltezi, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
SPAK shton se Berisha në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, dyshohet se ka kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore.
Kjo, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte Jamarbër Malltezi.
Berisha, dyshohet madje se ka kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhërave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të Jamarbër Malltezit, vijon SPAK-u.
Sipas Prokurorisë, Berisha dyshohet se ka kryer po ashtu veprime aktive në vendosjen në dispozicion të Malltezit, të strukturave të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore./Albanianpost.com