Shteti në kërkim të OJQ-ve për funksionalizimin e disa monumente

Ministria e Kulturës është vënë sërish në kërkim të organizatave joqeveritare për t’i funksionalizuar disa prej aseteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të vendit. Kësaj radhë në listë është edhe parku arkeologjik “Ulpiana”. Aty zë vend edhe Kalaja e Prizrenit për të cilën vjet MKRS-ja kishte dështuar ta bëjë funksionalizimin me OJQ. Njëjtë pas dështimit të vitit të kaluar tash në listë janë edhe “Burgu i Idealit” në Prishtinë e Hidroelektrana – Muzeu i Elektroekonomisë në Prizren. Si asete të reja për këtë nismë figurojnë Kulla e Ministerit në Pejë e galeria e arteve  “Agim Çavdarbasha” në Çagllavicë, Prishtinë.

Nëpërmjet thirrjes publike, qëllimi është që periudha e zbatimit të programit të jetë tre vjet. Për Kalanë e Prizrenit dhe “Ulpianën” mbështetja financiare do të jetë prej 50 mijë në 100 mijë euro në vit. Kurse për monumentet e tjera prej 20 mijë deri në 60 mijë euro në vit. 

Te Kalaja e Prizrenit dhe “Ulpiana” ideja është që të zbatohen planet e menaxhimit. 

Në dhjetor të vitit 2020 ishte miratuar Plani i Menaxhimit të Kalasë së Prizrenit. Sipas Planit, ky aset i trashëgimisë kulturore duhet të ketë 16 punonjës. Prej korrikut të 2022-s, Ministria e Kulturës ka emëruar edhe njësinë menaxhuese për Kalanë. Çdo vit aseti ku janë investuar mbi një milion euro përballet me probleme thelbësore. Ngelet pa punonjës e muzeu brenda kompleksit i mbyllur. Njëjtë edhe në pranverën e sivjetme. Në pranverën e sivjetme nuk ka ekzistuar mirëmbajtja. Në cilindo drejtim që nisen vizitorët nuk marrin vesh gjë. Tabelat informuese i ka bjerrë koha. Shërbejnë veç si pamje të shëmtuara e relikte që dëshmojnë moskujdesin e shtetit. Shtigjet e drunjta kanë degraduar deri në masën sa rrezikojnë vizitorët. Janë arnuar me dërrasa, por si opsion që i ka shëmtuar, e ka rritur pak sigurinë. Degradimi i shtigjeve është i nivelit aq sa para më shumë se një viti, një vizitor e kishte lëshuar pjesa e shtegut ku po ecte. Ishte lënduar dhe kishte shkuar në Polici për ta paraqitur rastin me akuzën se ka pësuar në monumentin e menaxhuar nga shteti. Juridikisht shteti është përgjegjës për atë pjesë, por në praktikë nuk merr kush pikë përgjegjësie.

Kurse sa i përket parkut arkeologjik “Ulpiana” në tetor të vitit të kaluar – shtatë vjet pasi u shpall park arkeologjik –  është bërë me plan menaxhimi. Njëjtë si Kalaja, edhe ky aset ngelet shpesh pa punëtorët që angazhohen me kontrata të përkohshme. Plani i menaxhimit as që ka nisur të zbatohet, përjashto shpronësimin. 

Dokumenti prej 47 faqesh është një lloj manuali i menaxhimit të Parkut Arkeologjik deri më 2027. Aty përfshihen prej deklaratës së rëndësisë, vizionit, brendimit, historikut, fushat e veprimit e deri te plani i veprimit./koha.net/

Read Previous

Zelenskiy i Ukrainës do t’i paraqesë Biden planin për t’i dhënë fund luftës me Rusinë

Read Next

Harris do të zhvilloj intervistën e saj të parë që nga zgjedhja si kandidate për presidente