Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka bërë të ditur se kanë formuar një grup punues i cili është duke analizuar pretendimet e ngritura për Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës “Isa Grezda”, i cili ka ndalur operacionet me arsyetimin se temperaturat në vend aktualisht janë tejet të larta.
ShSKUK-ja përmes një përgjigje me shkrim për Albanian Post ka thënë se përveç çështjeve të operacioneve është duke trajtuar edhe tema të tjera.
“Ju konfirmojmë se është formuar një grup punues i cili po analizon krejt pretendimet e ngritura, jo vetëm operacionet, por edhe çështjet e tjera”, thuhet në përgjigjen e ShSKUK-së për AP.
Teksa nga ky shërbim është thënë se do të bëjnë publik hapat që do të ndërmerren, “pasi të kemi raportin nga Grupi Punues”.
Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë ka ndaluar operacionet me arsyetimin se temperaturat në vend aktualisht janë tejet të larta.
Ky vendim nga Spitali i Gjakovës ishte marrë në takimin e Këshillit Drejtues të Spitalit të mbajtur me 6 korrik.
Në vendimin e miratuar thuhej se ky vendim është marrë për shkak të periudhës së pushimeve vjetore, temperaturave të larta dhe mungesës së kushteve optimale për punë.
Nga spitali është thënë se që nga 7 korriku në sallat operative pranohen vetëm raste urgjente, deri në një vendim tjetër.
/albanianpost/