Shqipëria merr titullin “vendi i nderit” në panairin më të madh të turizmit botëror

Shqipërisë i është dorëzuar zyrtarisht titulli “Vendi i Nderit” në panairin më të madh të turizmit në botë, atë të ITB-Berlin 2025.

Lajmi është bërë publik nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, përmes një publikimi në median sociale Facebook.

Sipas Ramës, ky vlerësim ka ardhur pas një pune të gjatë dhe angazhimi serioz, për të shkëlqyer në prezantimin e ofertës turistike shqiptare në eventet e promovimit ndërkombëtar.

Në edicionin e këtij viti Shqipëria merr pjesë me një koncept të ri të promovimit, me një ekip prej 26 turoperatorësh dhe 7 bashkish turistike që prezantojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse nën sloganin “Albania All Senses” potencialet, atraksionet dhe tregun shqiptar të turizmit.

Gjatë këtij edicioni të ITB-Berlin, u nënshkrua edhe një tjetër marrëveshje e rëndësishme për Shqipërinë. Ditën e djeshme, ministrja Mirela Kumbaro dhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili firmosën marrëveshjen e organizimit të mbledhjes së 70-të të Komisionit për Evropën të UNWTO në Tiranë, në datat 7-9 prill.

UNWTO e renditi Shqipërinë të parën në Evropë për rikuperimin e flukseve turistike gjatë vitit 2023, ndërsa gjatë dy muajve të parë të vitit 2024 vendi ynë u vizituar nga 1 milionë vizitorë të huaj, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit./Albanianpost.com

Read Previous

​Real Madrid – RB Leipzig, formacionet e mundshme

Read Next

Milani në fokusin e Arabisë Saudite