Milani në fokusin e Arabisë Saudite

Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite (PIF), një gjigant me 700 miliardë dollarë aktive nga të ardhurat e naftës, ka nisur një fazë të re të strategjisë së tij të investimeve në Evropë.

Fokusi i PIF-it është në sektorë të ndryshëm, duke përfshirë infrastrukturën, energjinë e rinovueshme, teknologjinë, pasuritë e paluajtshme, argëtimin dhe madje edhe sportin, me interes të veçantë në klubet kryesore evropiane të futbollit.

PIF tashmë kontrollon Newcastle në Angli (duke qenë kreu i konsorciumit që mori klubin nga Mike Ashley në 2021), por, siç raportohet nga “Il Sole 24 Ore”, ai synon të hyjë në kapitalin aksionar të Milan-it.

Pronari i fondit amerikan që kontrollon Milan-in, Gerry Cardinale kishte folur për një hapje ndaj partnerëve të mundshëm arabë nga ana e “RedBird Capital” në një intervistë të gjatë për “Calcio e Finanza”

“Unë jam te Milan-i për të qëndruar për një kohë të gjatë dhe nëse do të ishte në dorën time do të qëndroja këtu përgjithmonë. Megjithatë, ajo që është e vërtetë është se duhet të merren parasysh lëvizjet e ekonomisë globale dhe nuk ka dyshim se në Lindjen e Mesme ka shumë likuiditet dhe vullnet për të investuar në sport”, shpjegoi ai.

Më pas, numri një i “RedBird” dhe Milan-it shtoi: “Në këtë moment ka shumë kapital në Lindjen e Mesme të interesuar për të investuar në sport dhe ne jemi të hapur për të bashkëpunuar me partnerë të mundshëm që mund të na bashkohen si sponsorë dhe si partnerë në ndërtimin e stadiumit të ri, apo si aksionarë minoritarë si partnerë të vërtetë me vlerë të shtuar, por siç thashë nuk do të heq dorë nga kontrolli”.

Kështu, PIF do të vlerësonte mundësinë e investimit në portofolin e “RedBird”, pronarit të ekipit kuqezi, për të siguruar fondet e nevojshme për të shlyer huanë e shitësit “Elliott” prej 550 milionë eurosh. Përndryshe, një partneritet më i gjerë me “RedBird” mund t’i propozohet PIF.

Sipas gazetës, negociatat janë në vazhdim, me një afat deri në fund të marsit për të marrë një vendim, por burime të njohura me situatën kanë mohuar ekzistencën e bisedimeve.

Sektorë të tjerë me interes për fondin saudit përfshijnë investimet e pakicave ose partneritetet me grupe të tjera financiare. Në Evropë, fondi saudit po shqyrton mundësi të ndryshme në fushën e infrastrukturës, pasi tashmë ka blerë 25% të aeroportit Heathrow në Londër në nëntor 2023, në bashkëpunim me grupin financiar francez “Ardian”, me një investim prej 2.4 miliardë paund.

Përveç infrastrukturës, PIF mban një interes të konsiderueshëm në pasuri të paluajtshme, duke u fokusuar kryesisht në mikpritjen dhe shitjen me pakicë. Strategjia bazohet në qasje oportuniste, siç tregohet nga hyrja në zinxhirin e hoteleve “Rocco Forte Hotels” (me 49% të aksioneve të vlerësuara në 1.2 miliardë paund) dhe investimet e synuara në zinxhirin e dyqaneve të Londrës “Selfridges”.

Së fundi, teknologjia dhe telekomunikacioni janë gjithashtu një fushë kyçe e ambicieve për fondin e pasurisë sovrane saudite, me miratimin e Princit Mohammed bin Salman dhe guvernatorit të Fondit të Investimeve Publike, Yasir Al-Rumayyan.

Nëpërmjet filialit të saj “STC”, PIF ka hyrë tashmë në kompaninë spanjolle shumëkombëshe të telekomunikacionit “Telefonica” vitin e kaluar./Albanianpost.com

Read Previous

Shqipëria merr titullin “vendi i nderit” në panairin më të madh të turizmit botëror

Read Next

Homazhe në Kompleksin Memorial në Shqiponjë, dhe në varrezat e dëshmorëve në komunën e Gjakovës