Shqipëria ka nivelin më të ulët të shitjeve online në rajon

Barometri Ballkanik vijon të nxjerrë shifra tejet interesante për çështje të ndryshme të jetesës së gjashtë shteteve ballkanike, mes të cilave së fundmi është publikuar një raport për blerjet online, ku Shqipëria ka nivelin më të ulët të shitjeve përmes faqeve të internetit.

Kështu bëhet me dije nga publikimi i Barometrit, ku një pjesë e madhe e bizneseve kanë më pak se 5% të tërësisë së shitjeve të tyre, të realizuar përmes internetit.

Pra, duke vënë edhe një herë në dukje se struktura e tregtisë elektronike nuk është në nivelet e duhura në vend, pavarësisht adoptimeve digjitale, të cilat bizneset kanë ndërmarrë në vitet e fundit.

Sipas raportit, 81% e bizneseve në Shqipëri raportojnë se më pak se 5% e shitjeve të tyre, kalojnë përmes faqeve të internetit. Kjo është një shifër tejet e lartë dhe ndjeshëm më e lartë se mesatarja e rajonit, e cila ndalet në 60%.

Sa i takon fqinjëve, Kosova dhe Bosnjë dhe Hercegovina kanë rezultatet më të përziera, ku shitjet online nën 5% të biznesit ndalen në përkatësisht 49% dhe 35%.

Këto dy vende shfaqin po ashtu përqindje më të madhe të bizneseve, të cilat realizojnë mbi 20% ose edhe më shumë se 50% të shitjeve të tyre, duke përdorur faqet e internetit dhe duke vënë në dukje praninë e lartë në rrjet sa i takon tregtisë.

Kosova në fakt reflektohet në raport si një ndër vendet me performancën më të mirë, ku 14% e bizneseve raportojnë se më shumë se gjysma e shitjeve të tyre bëhet online. Mali i Zi po ashtu ka një përqindje të lartë prej 12% të totalit të bizneseve, që kryejnë mbi gjysmën e tregtisë online.

Shifra të tilla ndërkohë, për Shqipërinë, reflektojnë rrugën e gjatë që vendi ka përpara, për të arritur në standardet e tregtisë online.

Maqedonia e Veriut dhe Serbia po ashtu, pasi në të dy këto vende, mesatarja e shitjeve online është e ulët, ku përkatësisht bizneset me më pak se 5% shitje online janë në kuota prej 81% dhe 73%. /Albanianpost.com

Read Previous

OpenAI siguron linjë krediti prej 4 miliardë dollarësh, pas raundit të madh të financimit

Read Next

Arne Slot zbulon rregullin strikt që ka futur te Liverpooli pas epokës Klopp