Kosova ende nuk ka pranuar një kërkesë zyrtare nga Britania e Madhe për ngritjen e “qendrave të kthimit” në territorin e saj, por ka shprehur gatishmëri për të diskutuar rreth kësaj çështjeje.
Një kërkesë e tillë pritet të bëhet së shpejti, bazuar në deklaratën e burimeve të larta qeveritare britanike, të cilat kanë vlerësuar se Kosova është një vend “i mundshëm” për ngritjen e një qendre kthimi, pasi ndodhet në njërën nga rrugët kryesore që përdorin emigrantët e paligjshëm drejt Bashkimit Evropian.
Marrëveshje të ngjashme për emigrantët – për herë të parë – kishin bërë Shqipëria dhe Italia. Ky model kishte gjetur pëlqim edhe tek kryeministri britanik Starmer. Por, kur ia kishte propozuar homologut shqiptar, Edi Rama, ky i fundit e kishte refuzuar që të nënshkruante marrëveshjen e njëjtë si me Italinë.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk kanë kthyer përgjigje nëse Kosova ka kapacitete të mjaftueshme për menaxhimin e një kampi të tillë, ndërsa as nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ende nuk është bërë e ditur nëse është pranuar një kërkesë zyrtare nga Britania.
Ndërkohë, nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë, të pyetur për kërkesën zyrtare ndaj Kosovës, kanë deklaruar për Albanian Post se i referohen deklaratës së kryeministrit britanik, Keir Starmer, të dhënë në një konferencë për media.
“Të lutem referoju fjalëve të kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar në konferencën për media më 15 maj 2025: “Po, jemi në bisedime me një numër vendesh për qendrat e kthimit. Unë i shoh ato si një risi vërtet të rëndësishme”, thuhet në përgjigjen e ambasadës për Albanian Post.
Në vitin 2021, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kishin kërkuar nga Kosova të pranojë një pjesë të punëtorëve afganë që kishin bashkëpunuar me forcat amerikane.
“E rëndësishme të ketë marrëveshje që i shërbejnë interesit shtetëror”
Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Mentor Vrajolli, në një bisedë për Albanian Post, thotë se kjo është një mundësi e mirë për Kosovën, duke vlerësuar se ka një partneritet të veçantë me Mbretërinë e Bashkuar.
Vrajolli e krahason marrëdhënien e Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar me atë të Shqipërisë me Italinë.
“Mendoj që Kosova ka dëshmuar mjaftueshëm kapacitete për të menaxhuar situata të tilla dhe nuk ka arsye pse të mos jetë e aftë të adresojë këtë çështje. Është me rëndësi që në Kosovë këto kampe të jenë të tipit më të mbyllur, për faktin se është e domosdoshme të sigurohet e gjithë shoqëria. Nuk ka ndonjë ndikim të drejtpërdrejtë në siguri, por besoj se gjithçka do të rregullohet brenda kornizës së marrëveshjes”, deklaron Vrajolli për AP.
Ai sqaron se Kosova tashmë ka një precedent të tillë – para disa vitesh kishte pranuar një numër emigrantësh për të qëndruar për një periudhë të caktuar, derisa të verifikohej e kaluara e tyre.
“Nuk është hera e parë që Kosova ndërmerr veprime të tilla; më pas ka bërë edhe marrëveshje për të burgosurit. Mendoj që, në pozitën ku ndodhet Kosova, është e rëndësishme të ketë marrëveshje që i shërbejnë interesit shtetëror – ndër to edhe me Britaninë e Madhe, e cila është një partner strategjik”.
Sipas tij, Kosova nuk duhet të ndjekë të njëjtën rrugë si Shqipëria.
“Shqipëria ka një marrëveshje të tillë me Italinë. Ashtu si Kosova që ka një partneritet të veçantë me Britaninë e Madhe, ngjashëm edhe Shqipëria e ka me Italinë. Prandaj, mendoj se vetëm fakti që Shqipëria nuk e ka pranuar këtë marrëveshje, nuk do të thotë që edhe Kosova duhet të veprojë njësoj”.
Pse Shqipëria e refuzoi kërkesën e Britanisë për emigrantët?
Drejtori i Përgjithshëm i CRCA Albania, Altin Hazizaj, thotë për Albanian Post se për Shqipërinë është më e lehtë të refuzojë Britaninë e Madhe sesa Italinë, për shkak të afërsisë dhe marrëdhënieve që ka me këtë shtet.
“Britania nuk është një vend i BE-së, ndaj Shqipëria e ka shumë më të lehtë ta refuzojë atë, krahasuar me Italinë. Së dyti, thuajse në çdo krizë që ka pasur Shqipëria pas komunizmit, Italia i është gjendur pranë jo vetëm popullit, por edhe Qeverisë Shqiptare”, pohon Hazizaj për AP.
Ai shton se Italia ka mirëpritur qindra mijëra emigrantë të parregullt nga Shqipëria, pa u ankuar apo pa i kthyer mbrapsht.
“Ekziston edhe një aspekt politik. Giorgia Meloni u zgjodh në Itali me një program të fortë kundër migracionit të parregullt, ndaj Shqipërisë i intereson kjo qasje: duke u paraqitur si aleate e Italisë – dhe njëkohësisht duke lënë përshtypje pozitive në sytë e BE-së – ajo e lehtëson rrugën drejt anëtarësimit”.
Në vitin 2021, Kosova kishte pranuar afër 700 afganë pasi që kërkesa kishte ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët këtë kërkesë e kishin arsyetuar duke thënë se të njëjtit ndjejnë pasiguri dhe rrezik për jetën pas ardhjes së talibanëve në pushtet.
Afganët kishin qëndruar për një vit në Kosovë, pastaj të njëjtit ishin larguar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe.
Kosova ka dy qendra të azilkërkuesve, një në Magurë të Lipjanit dhe një në fshatin Vranidoll të Komunës së Prishtinës.
Ato kanë kapacitet të vogël dhe në kushte optimale mund të pranojnë jo më shumë se deri në 100 persona./Albanianpost.com