Shqipëria do të ketë një flotë prej 6 helikopterësh Black Hawk deri në vitin 2030

Ministri i Mbrojtjes në Republikën e Shqipërisë, Niko Peleshi shoqëruar edhe nga i Ngarkuari me Punë në ambasadën amerikane në Tiranë, David Wisner, si dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor, Arben Kingji, ishin në bazën ajrore të Farkës, ku panë nga afër dy helikopterët Black Hawk të mbërritur së fundmi në Shqipëri.

Peleshi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e partnerit strategjik të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vlerësuar mbërritjen e dy helikopterëve si një nga kapacitetet më të rëndësishme operacionale të vendit tonë në raport me NATO-n.

Nga aty ai njoftoi se qeveria shqiptare është në bisedime për dy helikopterë të tjerë në periudhën afatmesme dhe deri në vitin 2030 ajo do të  ketë një flotë prej 6 helikopterësh Black Hawk.

“Është një donacion i partnerëve tanë strategjikë të SHBA, por edhe me një pjesë nga buxheti i shtetit. Po ndërtojmë dy hangarë specifikë për helikopterët Black Hawk që do të përfundojnë brenda këtij viti, këtu në bazën ajrore të Farkës”, nënvizoi ministri Peleshi.

Bashkë me dy helikopterët Black Hawk, sipas ministrit Peleshi Shqipëria ka mundur të përfitojë një paketë të plotë mbështetjeje, ku përfshihen edhe mirëmbajtja për një periudhë të caktuar, asistenca teknike si dhe trajnimi i pilotëve.

Peleshi tha se do të vijohet të unifikohet sa më shumë flota ajrore drejt helikopterëve Black Hawk.

“Dy helikopterët e tjerë që ne kërkojmë të blejmë janë fjala e fundit e helikopterëve Black Hawk. Në këtë rrugë duam të ecim. Duam të shpenzojmë me shumë kujdes dhe me inteligjencë buxhetin e dedikuar prej 2 për qind të GDP-së për sigurinë dhe mbrojtjen”.

Ndërsa i Ngarkuari me Punë i ambasadës së SHBA në Tiranë, David Wisner vlerësoi përgatitjen e pilotëve shqiptarë dhe ekipeve të mirëmbajtjes.

“Dhe jemi aq krenarë për të gjithë punën që kanë bërë të gjithë ekipet e mirëmbajtjes, në mënyrë që të sigurohemi që kjo gjë të mundësohet. Jemi vërtetë krenarë për këtë partneritet dhe për të gjithë këta persona të shkëlqyer që simbolizojnë këtë partneritet”, u shpreh Wisner.

Dy helikopterët Black Hawk janë porosia e parë e Shqipërisë për këtë model, mbështetur nga fondi i ndihmës së SHBA me vlerë mbi 50 milionë dollarë.

Helikopterët e rinj do të ndihmojnë në forcimin e aftësive të forcave ajrore të Shqipërisë dhe aftësinë për të kryer evakuim mjekësor, rikuperim të personelit, misione kërkim-shpëtimi si dhe mbështetje të lëvizjeve logjistike të NATO-s për operacione dhe stërvitje.

/albanianpost/

Read Previous

Zyrtare, Roma emëron pasuesin e Mourinhos

Read Next

Dr. Mehmeti: Të evitohen daljet në ajër të ndotur