Një delegacion nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), përfshirë Shqipërinë, do të shkojë gjatë javës në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia-s.
Të hënën e 29 gushtit, shefi i IAEA-s Rafael Grossi konfirmoi se ai po udhëheq një ekip nga mbikëqyrësi bërthamor i Kombeve të Bashkuara që do të vizitojë objektin në ditët në vijim.
“Ka ardhur dita, Misioni Mbështetës dhe Ndihmës i organizatës IAEA në Zaporizhzhia (ISAMZ) tani është në rrugën e tij. Ne duhet të mbrojmë sigurinë dhe ruajtjen e objektit më të madh bërthamor të Ukrainës dhe Evropës. Krenar që drejtoj këtë mision i cili do të jetë në ZNPP më vonë gjatë javës”, vëren Grossi në Twitter.
“The New York Times” raportoi më herët se Grossi do jetë anëtar i ekipit që merrte pjesë në misionin e ekspertëve.
“The Times” thotë se e ka parë Grossin në një listë emrash, e cila përfshinte gjithashtu “13 ekspertë të tjerë nga vende kryesisht neutrale”.
Sipas NYT-së, ekipi përfshin përfaqësues të Lituanisë, Polonisë, Serbisë, Francës, Italisë, Kinës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Jordanisë dhe Meksikës.
Itinerari i udhëtimit ende nuk është sqaruar.
“As Shtetet e Bashkuara dhe as Britania, vende që Rusia i cilësoi si të njëanshme në mënyrë të padrejtë për shkak të mbështetjes së tyre të fortë për Ukrainën, nuk janë të përfaqësuara”, raportoi botimi amerikan.
Multimediali amerikan “CNN” kontaktoi IAEA-n të dielën e 28 gushtit për përbërjen e misionit të ekspertëve.
Por, mbikëqyrësi bërthamor nuk pranoi të komentojë, duke thënë se nuk do ta bënte këtë informacion publik.
“Të gjitha misionet e IAEA-s kanë anëtarë nga shtete të ndryshme anëtare, të zgjedhur në bazë të ekspertizën e tyre përkatëse. Ata janë nëpunës civilë ndërkombëtarë që përfaqësojnë IAEA-n, jo vendet e tyre”.
Ministria ruse e Mbrojtjes dhe operatori bërthamor i Ukrainës, Energoatom, thanë të shtunën se vendi i termocentralit bërthamor Zaporizhzhia ishte granatuar në mënyrë të përsëritur gjatë 24 orëve të fundit, duke fajësuar njëri-tjetrin.
Energoatom tha të premten se centrali ishte rilidhur me rrjetin elektrik të Ukrainës një ditë pasi centrali doli jashtë linje për herë të parë në historinë e tij.
Autoritetet e qytetit të Zaporizhzhia kanë vënë gjithashtu në dispozicion pilula jodi për banorët pasi shqetësimi rritet për një aksident të mundshëm bërthamor. /Albanianpost.com