Shqipëri: Turizmi në ritme të qëndrueshme, rriten turistët e huaj me 3.8% në shtator

Nuk ka qenë ndoshta ritmi i paramenduar dhe i pritur, por sërish ka pasur një rritje të vizitorëve në Shqipëri gjatë shtatorit 2024, krahasuar me shifrat e një viti më parë.

Hovi turistik vijon të jetë i lartë në gjithë vendin, përtej faktit se viti i jashtëzakonshëm i vjetshëm dhe rritja e paprecedente, lënë pak vend për përmirësime të mëdha dhe rritje shifrash të hatashme në këtë vit.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave, shtatori i këtij viti pa 3.8% më shumë turistë të huaj se sa viti i shkuar. Kjo është rritja e dytë më e ngadalshme për këtë vit, ku e para ishte korriku, me 2.69% rritje.

Në tërësi ndërkaq, që në shtator, mund të thuhet se Shqipëria praktikisht e ka kaluar performancën e vjetshme, pasi ka kapur një numër rekord prej 9.6 milionë vizitorësh të huaj. Me tre muaj të mbetur, shifra e 10 milionë turistëve të huaj nga viti i kaluar duket më se i thjeshtë për t’u thyer.

Sipas raportit nga INSTAT, gjatë shtatorit 2024 ka pasur në tërësi 1.794 milionë hyrje në vend. Ky është një tregues i një rritjeje prej 8.7% krahasuar me një vit më parë.

Po ashtu, edhe daljet nga Shqipëria kanë pasur rritje të konsiderueshme, me 1.927 milionë shqiptarë e të huaj, të cilët rezultojnë të kenë dalë nga territori, ose 12.6% më shumë krahasuar me shtatorin 2023. Tregues ky se edhe shqiptarët po i frekuentojnë më shpesh pushimet jashtë vendit, edhe në periudha të ndryshme të vitit.

Sa i takon hyrjeve në veçanti, vetëm të huajt, përbëjnë pjesën më të madhe, ku llogaritet se 1 milion e 146 mijë e 90 të huaj kanë hyrë në territor gjatë shtatorit, duke reflektuar rritjen me 3.8% nga viti i kaluar.

Shqiptarët që kanë hyrë në vend ndërkaq kanë qenë 648 mijë e 184, ose 18.6% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Sa i takon daljeve në veçanti, janë 1.229 milionë të huaj, duke shfaqur rritje me 11.7% nga viti i kaluar dhe 698 mijë shqiptarë, duke parë rritje me 14.2%.

Vendet më të shumta të hyrjeve nga shtetasit e huaj janë ato nga rajonet e ndryshme të Evropës, të cilat zënë 95%. Prej tyre, vendet e Evropës jugore zënë 69% të hyrjeve të shtetasve të huaj, ndjekur nga Evropa perëndimore me 12%.

Duke marrë parasysh ndërkohë performancën pas-pandemike në kohë, për periudhën janar-shtator, duket një rritje shumë e qartë graduale nga viti në vit.

Gjatë vitit 2021, ka pasur në këtë periudhë 4.878 milionë vizitorë të huaj. Në të njëjtën periudhë të vitit 2022 ka pasur 6.428 milionë, në vitin 2023 8.294 milionë dhe në këtë vit 2024, 9.680 milionë. /Albanianpost.com

Read Previous

Von der Leyen: Duhet ende punë për t’i hequr masat ndaj Kosovës

Read Next

​Tre të arrestuar në veri për armëmbajtje pa leje