Shqipëri | Pagesat me kartë shënojnë rekord në 2025, për herë të parë tejkalojnë tërheqjet cash në ATM

Pagesat me kartë bankare arritën nivelin më të lartë historik në vitin 2025, si në numër ashtu edhe në vlerë transaksionesh, duke kaluar për herë të parë edhe numrin e tërheqjeve cash nga bankomatet.

Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2025 u realizuan 27.2 milionë pagesa me kartë në terminalet POS (pikat elektronike të shitjes), me një rritje prej 38.7% krahasuar me një vit më parë.

Në vlerë, transaksionet arritën në 105.75 miliardë lekë, 27% më shumë se në vitin 2024. Për herë të parë, numri i pagesave me kartë në POS tejkaloi numrin e tërheqjeve të parasë cash në ATM, një tregues i qartë i zgjerimit të pagesave jo cash në ekonominë shqiptare.

Volumi i pagesave në terminale POS përbënte 17.5% të vlerës totale të veprimeve me karta në vitin 2025, nga 16% që ishte një vit më parë.

Rritet infrastruktura dhe përdorimi i kartave

Në fund të vitit 2025, numri i terminaleve POS arriti në 31 263 njësi, në rritje me 27.7% krahasuar me një vit më parë.

Zgjerimi i rrjetit është nxitur si nga kërkesa në rritje e tregut, ashtu edhe nga programet promovuese të operatorëve ndërkombëtarë të pagesave, përfshirë Mastercard, i cili përmes bankave tregtare ofroi instalim pa kosto dhe pa komisione për një periudhë fillestare.

Rritja e pagesave me kartë është ndikuar gjithashtu nga shtimi i numrit të turistëve të huaj, të cilët preferojnë pagesat elektronike. Kjo ka nxitur më shumë biznese të pranojnë pagesa me kartë, duke kontribuar në rritjen e aksesit dhe kulturës së pagesave digjitale edhe për konsumatorët vendas.

Numri i kartave bankare aktive arriti në 1.65 milionë, me një rritje vjetore prej 9.4%. Kartat e debitit mbeten dominuese, me 1.46 milionë njësi (rritje 10%), duke përbërë rreth 88% të totalit. Ndërkohë, segmenti i kartave të kreditit riktheu rritjen, me afro 120 mijë karta aktive, 5.6% më shumë se një vit më parë.

Objektivi për ekonomi cashless deri në 2030

Qeveria shqiptare ka shpallur objektivin për kalimin drejt një ekonomie “cashless” deri në vitin 2030.

Në ligjin për “Procedurat Tatimore”, të amenduar nga Kuvendi i Shqipërisë në fund të vitit 2025, u vendos detyrimi që bizneset (me disa përjashtime) të pajisen me terminal POS për pagesa elektronike brenda vitit 2026.

Këto masa pritet të përshpejtojnë më tej depërtimin e pagesave elektronike dhe të reduktojnë gradualisht varësinë nga paraja fizike në ekonomi. /Albanianpost.com

Read Previous

Gjykimi për pengim të drejtësisë – katër në liri, Thaçi në paraburgim

Read Next

Nga qytetarë në ushtarë, katër vite lufte që transformuan ukrainasit e zakonshëm