Nga qytetarë në ushtarë, katër vite lufte që transformuan ukrainasit e zakonshëm

Kur në 24 shkurt 2022 filluan bombardimet ruse mbi Ukrainën, mijëra qytetarë të zakonshëm u transformuan brenda natës në ushtarë. Shumë prej tyre, që nuk kishin mbajtur asnjëherë armë, u hodhën drejt zyrave të regjistrimit ose vijave të frontit.

Për burrat, shërbimi është i hapur dhe i zbatueshëm për moshat 25-65 vjeç, ndërsa gratë shërbejnë mbi bazë kontrate.

BBC ka intervistuar shtatë ushtarë ukrainas, të cilët rrëfejnë jetën e tyre para luftës, transformimin që kanë pësuar dhe gjurmët e konfliktit që ata mbajnë ende.

Olena, 26 vjeçe: Ish-administratore nate në Pragë, Olena u kthye në Ukrainë në 2024 dhe u bë pilote. Ajo thotë se jeta e saj është thjeshtuar: “Ajo që ka rëndësi tani është që vëllezërit e mi të mbijetojnë pas sulmeve të armikut”. Momente më të vështira për të janë heshtjet pas lajmeve për humbjet.

Oleh, 37 vjeç: Ish-punonjës i një OJQ-je dhe diplomuar në botime, u bashkua me Ushtrinë pas frikës dhe konfuzionit fillestar. Ai përshkruan ngarkesën mendore: “Je gjithmonë në një dhomë të vogël brenda kokës sate… jashtë dritares, të tjerët jetojnë, ndërsa ti nuk ke asnjë dalje”.

Anastasiia, 19 vjeç: Ish-bariste, Anastasiia u bashkua me Ushtrinë në 2025 si operatore dronësh. Ajo thotë se shërbimi ushtarak i ka mësuar vlerën e gjërave të thjeshta: familja, dashuria dhe koha pranë të dashurve.

Roman, 42 vjeç: Ish-bio-inxhinier, i specializuar në modelim 3D për rikonstruksione faciale, Roman fillimisht u ofrua si mjek dhe tani operon dronë. Ai mësoi të jetojë në moment: “Përpiqem të mos mendoj për të ardhmen – jetoj këtu dhe tani”.

Viktor, 28 vjeç: Viktor u kthye nga Polonia në fillim të pushtimit. Ai rrëfen: “Pothuajse nuk e kujtoj veten nga para luftës. Por e kujtoj shumë mirë kush u bëra dhe çfarë më ndryshoi lufta”. Shumica e shokëve të tij janë vrarë në luftë!

Serhii, 42 vjeç: Kapur gjatë rrethimit të Azovstal në Mariupol, Serhii kaloi më shumë se dy vjet në kamp robërie. Ai e përshkruan këtë si përvojën më të tmerrshme të jetës së tij dhe thotë se e ka detyruar të rishikojë vlerat dhe prioritetet e tij.

Kyrylo, 35 vjeç: I martuar dhe me fëmijë, Kyrylo u mbajt i robëruar në Rusi në 2022. Lufta i shkatërroi jetën personale, dhe rikthimi në qytetari është i vështirë: “Ndërsa lufton, je dikush. Sapo ndalon – atëherë nuk je më askush”.

Këto rrëfime tregojnë koston e madhe humane të luftës dhe sesi ukrainasit e zakonshëm janë formuar nga katër vitet e konfliktit: nga qytetarë të përditshëm në ushtarë të përkushtuar, të përballur me trauma dhe përgjegjësi të mëdha.

Për shumë prej tyre, jeta nuk do të kthehet kurrë si më parë.

Lufta ka lënë gjurmë të thella në shoqërinë ukrainase, duke prekur jo vetëm ata që luftuan, por edhe ata që mbijetuan robërinë dhe përjetuan humbje të mëdha. /Albanianpost.com

Read Previous

Shqipëri | Pagesat me kartë shënojnë rekord në 2025, për herë të parë tejkalojnë tërheqjet cash në ATM

Read Next

Rahovec, një i arrestuar për fajde