Mavraj: Pa UÇK-në s’do të bëheshim kurrë shtet

Një nga ish-liderët studentorë të protestave të tetorit 1997, Muhamet Mavraj, ka kujtuar me mirënjohje studentët e profesorët që ndër vite kanë rezistuar për çështjen kombëtare.

“Pa arsimin shqiptar dhe pa UÇK-në kurrë s’do të bëheshim shtet. I tërë kombi, të gjitha rrymat, të majtë e të djathtë, dashamirë e jo dashamirë, mësues, arsimtar, profesorë, dekan e mbarë populli i bën bashkë sepse dolën mbi dallimet tona dhe ishin shumë e jo pak”, tha ai.

Në shesh janë mbledhur qytetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar pjesëmarrje masive në tubim.

Protestuesit po shprehin kundërshtimin ndaj aktgjykimit dhe po kërkojnë drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër” kanë bërë thirrje për vazhdimin e protestave edhe në ditët në vijim, ndërsa kanë kërkuar nga Qeveria dhe Kuvendi që të ndërmarrin veprime për shqyrtimin dhe procedimin e ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Protesta po zhvillohet nën moton “Jo në emrin tim”. /RTKlive

Read Previous

Nasim Haradinaj: Nuk mund të na mashtroni se janë dënime individuale