Edon Zhegrova tregon synimin e madh pas qëndrimit te Juventusi
Edon Zhegrova ka folur për vendimin e tij për të vazhduar aventurën te Juventusi, pavarësisht pasigurisë që e shoqëroi të ardhmen e tij gjatë afatit kalimtar të verës.
Sulmuesi i Kosovës, i cili u aktivizua në minutën e 77-të në ndeshjen ndaj Izraelit në Debrecen, ka dhënë një intervistë për “Sportmediaset”, ku ka shpjeguar se dëshira e tij ka qenë të mos largohej nga Torino.
“E dua këtë klub dhe dua të arrij diçka të madhe. Kur nënshkrova isha shumë i lumtur dhe nuk doja të largohesha në këtë mënyrë. Doja të qëndroja dhe tani dua të bëj gjëra të mëdha”, deklaroi Zhegrova.
27-vjeçari ka thënë se ndihet mirë te “Zonja e Vjetër” dhe ka vlerësuar atmosferën në skuadër.
“Jam i lumtur që jam këtu. Është klub i madh dhe jam i kënaqur me bashkëlojtarët, klubin, trajnerin dhe gjithë ekipin. Do ta jap më të mirën nga vetja sa herë që të jem në fushë”, u shpreh ai.
Zhegrova nuk është përfshirë në listën e Juventusit për Ligën e Evropës, por thotë se e pranon vendimin e stafit.
“Do ta bëj më të mirën dhe e respektoj çdo vendim. Kemi ekip të mirë dhe luajmë për të fituar. Nuk dua të flas nëse jemi më të mirë se Interi, por Juventusi është gjithmonë më i mirë”, tha ai me shaka.
Ndërkohë, për Zhegrovën ka folur edhe ish-sulmuesi i Juventusit, Fabrizio Ravanelli. Ai ka vlerësuar stilin e lojës së kosovarit dhe ka treguar se ka diskutuar disa herë me trajnerin Luciano Spalletti për të.
Ravanelli e ka mbështetur Zhegrovën, duke theksuar se humbjet e topit janë pjesë e mënyrës së tij të lojës.
“Nëse Zhegrova humb disa topa, kjo është sepse ai rrezikon dhe tenton vazhdimisht të bëjë aksione. Dëshiron të jetë vendimtar. Në Serie A shoh shumë lojtarë që e pranojnë topin dhe e kthejnë prapa”, ka deklaruar Ravanelli.
Në këtë edicion, Zhegrova ka shënuar dy gola dhe ka regjistruar një asistim me fanellën e Juventusit. /RTKlive