Marrëveshja Shqipëri-Itali, ende vijon puna në një nga qendrat e pritjes së emigrantëve

Gjatë një vizite në Shqipëri, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni pati deklaruar se dy qendrat e krijuara për të pritur emigrantët do të jenë gati në fillim të gushtit.

Sot data shënon 1 gusht – ndërtimi intensiv vijon ende në një prej tyre, duke hedhur dyshime nëse do të jetë plotësisht gati në kohë.

As Italia dhe as Shqipëria nuk kanë treguar se kur ka të ngjarë të mbërrijnë emigrantët e parë.

Marrëveshja e diskutueshme, në të cilën vendi i Ballkanit Perëndimor do të presë mijëra azilkërkues në emër të Italisë, pritet të zgjasë për pesë vjet dhe të sigurojë strehim për deri në 3 mijë emigrantë të marrë nga Roja Bregdetare Italiane në ujërat ndërkombëtare çdo muaj.

Ajo u nënshkrua nga Meloni dhe homologu i saj shqiptar Edi Rama nëntorin e kaluar.

Ata fillimisht do të kontrollohen në bordin e anijeve që i shpëtojnë në det përpara se të dërgohen në Shqipëri për kontroll shtesë.

Qendrat do të strehojnë vetëm burra të rritur.

Njerëzit që konsiderohen të pambrojtur – gra, fëmijë, të moshuar dhe ata që janë të sëmurë ose viktima të torturës – do të strehohen në Itali.

Familjet gjithashtu nuk do të ndahen.

Ata që dërgohen në Shqipëri do të ruajnë të drejtën e tyre sipas ligjit ndërkombëtar dhe të Bashkimit Evropian për të aplikuar për azil në Itali dhe për t’u trajtuar kërkesat e tyre atje.

Me çdo kërkesë që kërkon rreth një muaj për t’u përpunuar, numri i njerëzve të dërguar në Shqipëri mund të arrijë në 36 mijë në një vit.

E kushtueshme, mizore, kundërproduktive

Marrëveshja është kritikuar nga grupet e të drejtave të njeriut si një precedent i rrezikshëm.

Në fillim të këtij viti, Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit e përshkroi marrëveshjen si “të kushtueshme, mizore dhe kundërproduktive” dhe së fundi, ai i kërkoi BE-së dhe vendeve të saj anëtare të mos përdorin “këtë model të rrezikshëm si një plan”.

Dy qendrat në Shqipëri do t’i kushtojnë Italisë 670 milionë euro gjatë pesë viteve.

Kostoja e dërgimit të 36 mijë emigrantëve në Itali është 136 milionë euro, pothuajse e njëjtë me shumën që do të shpenzohet në Shqipëri, sipas Melonit.

Ambientet do të drejtohen plotësisht nga Italia dhe të dyja qendrat janë nën juridiksionin italian, ndërsa rojet shqiptare do të ofrojnë siguri të jashtme.

Meloni dhe aleatët e saj të krahut të djathtë kanë kërkuar prej kohësh që vendet evropiane të ndajnë më shumë barrën e migracionit.

Ajo pohoi se marrëveshja me Shqipërinë ishte një zgjidhje inovative për një problem që ka shqetësuar BE-në prej vitesh, pavarësisht se ajo bie ndesh me konventat ndërkombëtare.  /Euronews/Albanianpost.com/

Read Previous

Opozita kërkon zgjedhjet më 26 janar – Osmani do t’i analizojë propozimet

Read Next

“Nuk punojmë pa paga” – Pse Trepça po përballet sërish me vështirësi financiare?