Shqipëri/ “Apeli” lë në fuqi vendimin, burg përjetë për Laert Haxhiun

Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi dënimin e Shkallës së Parë ndaj Laert Haxhiut, burgim të përjetshëm, të shpallur fajtor për masakrën e Lushnjes në vitin 2017 me dy të vrarë.

Gazetarja e Klan News Glidona Daci raporton se tashmë vendimi është i formës së prerë.

Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi u vranë në atë ngjarje të rëndë.

Në ngjarjen e vitit 2017 ku krahas dy viktimave mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, shënjestër ishte nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti i cili i shpëtoi breshërisë së plumbave.

Pas seancës gjyqësore avokati i Haxhiut, Detar Hysi e quajti vendimin jo të drejtë dhe të njëanshëm. Sipas avokatit mbrojtës gjykata ka skanuar kërkesën e SPAK, dhe me këtë vendim të ndikuar nga faktorë të jashtëm, ka hapur një sagë vrasjesh në qytetin e Lushnjes.

Për të njëjtën ngjarje më herët janë dënuar edhe dy bashkëpunëtorët e Laert Haxhiut, Anterio Kaloshi dhe Orges Bilbili. /tvklan.al

Read Previous

Kumbaro: Shqipëria destinacion i shumëdëshiruar

Read Next

Koreja e Veriut dërgoi mijëra trupa në luftë për të ndihmuar rusët