Në Izrael kanë shpërthyer protesta antiqeveritare, vetëm disa orë pasi kabineti i kryeministrit Benjamin Netanyahu miratoi planet për të pushtuar të gjithë Gazën.
Qindra njerëz u mblodhën jashtë Knesset, parlamenti i Izraelit, duke bërë thirrje për një marrëveshje me Hamasin për të siguruar lirimin e pengjeve që ende mbahen në Gaza.
Bëhet e ditur se kabineti i Izraelit miratoi planet për të kapur të gjithë Rripin e Gazës dhe për të qëndruar në territorin palestinez për një kohë të papërcaktuar, një masë që, nëse zbatohet, do të zgjeronte shumë operacionet e Izraelit dhe ka të ngjarë të nxirrte kundërshtime të egra ndërkombëtare, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
“Nuk ka arsye për të vazhduar me këtë luftë. Atë që bëmë për një vit e gjysmë, zgjati një vit e gjysmë dhe nuk ia dolëm, nuk do të mund ta bëjmë tani”, tha Miri Wolf, një nga protestuesit.
“Qeveria izraelite thjesht duan ta mbajnë Rripin e Gazës dhe të bëjnë një vendbanim të ri atje. Ata do të qëndrojnë atje, ushtarët do të vriten dhe pengjet do të kthehen me thasë të zinj. Kështu do të ndodhë”, shtoi Wolf.
Raportohet se plani i ri, për të cilin zyrtarët thanë se kishte për qëllim të ndihmonte Izraelin të arrijë qëllimet e tij të luftës për të mposhtur Hamasin dhe për të liruar pengjet, gjithashtu kërkon që qindra mijëra palestinezë të lëvizin në Gazën jugore.
Kjo ka të ngjarë të çojë në zhvendosjen e tyre të dhunshme dhe të përkeqësojë një krizë tashmë të tmerrshme humanitare.
Ndryshe, që kur Izraeli i dha fund armëpushimit me Hamasin në mes të marsit, ai ka nisur sulme të reja në territorin që kanë vrarë qindra njerëz.
Ai ka kapur zona të territorit dhe tani kontrollon afërsisht 50% të enklavës bregdetare.
Para përfundimit të armëpushimit, Izraeli ndaloi të gjithë ndihmën humanitare në territor, duke përfshirë ushqimin, karburantin dhe ujin, duke shkaktuar atë që besohet të jetë kriza më e keqe humanitare në gati 19 muajt e luftës. /Telegrafi/