Enzo Maresca ka zbuluar se Chelsea po përgatitet të investojë në janar për të ngushtuar diferencën me Arsenalin dhe Manchester Cityn.
Pas marrjes së drejtimit nga konsorciumi Todd Boehly dhe Clearlake Capital, Chelsea është shfaqur si një nga shpenzuesit më të mëdhenj në tre nga katër dritaret e fundit të transferimeve, duke shpenzuar rreth 1.3 miliardë dollarë për 39 lojtarë gjatë pesë dritareve, me 219 milionë funte të shpenzuara vetëm këtë verë.
Maresca ka sjellë 11 lojtarë këtë verë, përfshirë Jadon Sancho, falë një marrëveshjeje huazimi të minutës së fundit nga Manchester United. Megjithatë, ai ishte i kujdesshëm për të lënë disa yje që të kontribuonin në mbledhjen e mbi 150 milion £ (199.6 milion dollarë). Edhe pse shpesh sugjerohej se skuadra e parë e Chelseat kishte afër 40 lojtarë, fotografia zyrtare e skuadrës e publikuar të premten tregoi menaxherin me 29 lojtarë.
Megjithë aktivitetin intensiv në dritaret e transferimeve, Maresca shpreh shqetësimin se skuadra e tij po mbetet pas rivalëve si Arsenal dhe City, çka do ta detyronte Chelsea të shpenzojë më shumë në janar.
“Ne jemi një skuadër shumë e mirë, por klube si Manchester City dhe Arsenali janë përpara nesh, pa dyshim,” tha ai. “Shpresojmë të përmirësohemi dhe të ngjitemi afër tyre. Por është e qartë se në këtë moment, Arsenali dhe Manchester City janë më të fortë. Arsyeja pse një klub është me të njëjtin trajner për nëntë vjet (Pep Guardiola iu bashkua Manchester Cityt në 2016) dhe tjetri (Mikel Arteta në Arsenal) për pesë vjet, flet shumë.”
Kur u pyet për mundësinë e sjelljes së lojtarëve të tjerë në janar, Maresca tha: “Objektivi pas verës së kaluar është të bëjmë më pak gjëra, por më specifike. Këto janë planet për janarin dhe verën e ardhshme. Shpresojmë të arrijmë këtë.”
Chelsea po planifikon gjithashtu të heqë qafe Mykhailo Mudryk në janar, një lëvizje që mund të hapë rrugën për një tjetër sulmues në Stamford Bridge. Reprezentuesi ukrainas ka luajtur vetëm 61 minuta në Premierligë, dhe me Sanchon duke shkëlqyer, mundësitë për Mudryk do të jenë të kufizuara. Chelsea kthehet në aksion të shtunën ndaj West Hamit. /Goal.com/