Shkencëtarët: Metani, shkaktari kryesor i ngrohjes globale

I padukshëm dhe pa erë, por shumë më i dëmshëm se dioksidi i karbonit, shkencëtarët e ndryshimeve klimatike e konsiderojnë metanin si një nxitës kryesor të ngrohjes globale.

Metani është një komponent kryesor i gazit natyror dhe mund të përdoret si lëndë djegëse për termocentrale dhe për qëllime shtëpiake.

Megjithatë, metani është një gaz i fuqishëm serrë, i cili sipas shkencëtarëve, bllokon nxehtësinë 28 herë më shumë sesa dioksidi i karbonit gjatë një periudhe kohore 100-vjeçare. Përqendrimet e metanit janë rritur me më shumë se 150% që nga fillimi i aktiviteteve industriale dhe bujqësisë intensive.

Në shkallë globale, emetimet e metanit janë përgjegjëse për rreth 20% të ngrohjes që nga epoka para-industriale, kanë thënë së fundmi Kombet e Bashkuara.

“Ne nuk mund ta shohim atë sepse metani është  pa ngjyrë sigurisht. Dhe ju mund ta zbuloni atë nëpërmjet spektroskopisë infra të kuqe, që do të thotë se ka disa pjesë të spektrit diellor që absorbohet nga metan, të cilin ne nuk mund ta shohim në infra të kuqe.”

Hulumtimet tregojnë gjithnjë e më shumë se ulja e emetimeve të metanit është jetike për kufizimin e ngrohjes planetare në 2 gradë Celsius ose më pak mbi kohën para-industriale për të shmangur ndikimet më të këqija të ndryshimeve klimatike.

Sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) të publikuar në shkurt 2023, industria e karburanteve fosile po dështon të trajtojë emetimet e metanit , pavarësisht premtimeve të saj për të zbuluar dhe rregulluar infrastrukturën.

Në vitin 2022, industria globale e energjisë lëshoi ​​në atmosferë rreth 135 milion ton metan, kjo ishte mbi nivelet e 2020 dhe 2021 dhe ishin vetëm pak më poshtë sasisë rekord të lëshuar në 2019, pavarësisht çmimeve të larta të energjisë dhe kërkesës në rritje për gaz natyror që siguroi stimuj shtesë për të kapur metanin, thuhet në raport.

“Çfarë tregojnë numrat tanë në gjurmuesin global të metanit të këtij viti ? Ato tregojnë se ka një përmirësim në drejtim të emetimeve të metanit, por emetimet nuk po bien aq shpejt. As afër asaj që kërkohet. Dhe kjo po ndodh në një kohë kur ne kemi parë se çmimet e gazit natyror janë në nivele shumë të larta.”

Rreth 60% e emetimeve të metanit në botë prodhohen nga aktivitetet njerëzore  me pjesën më të madhe që vjen nga bujqësia, depozitimi i mbeturinave dhe prodhimi i karburanteve fosile. Përqëndrimi i tij në atmosferë aktualisht po rritet me një normë prej rreth 1% në vit, sipas Agjencisë Evropiane të Hapësirës.

Pas dekadash duke u fokusuar në dioksidin e karbonit të gazit serrë, politikëbërësit kanë filluar të njohin kërcënimin e paraqitur nga metani dhe në vitin 2021 mbi 100 vende nënshkruan një premtim për të ulur emetimet e metanit me 30% nga nivelet e vitit 2020 deri në vitin 2030.

Ndikimi klimatik nga metani është dyfish shqetësues. Një studim në shtator 2022 sugjeroi se disa nga ngjarjet si shkrirja e akullit të Grenlandës ose shkrirja e ngricave të përhershme të Arktikut që tani janë të pashmangshme.

Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë njoftuar masa bashkëpunuese për të adresuar emetimet e metanit. Bashkëpunimi midis SHBA-së dhe Kinës, dy emetuesit më të mëdhenj në botë të gazeve serrë, shihet si vendimtar pas konsensusit të arritur në samitin e COP28.

“ Ne për fat të mirë arritëm të biem dakord me Kinën dhe Shtetet e Bashkuara se ne jemi si dy emetuesit më të mëdhenj në botë, natyrisht, ne e kuptojmë se është e rëndësishme për ne që të jemi në gjendje të gjejmë bashkëpunim këtu. Asnjë vend, asnjë biznes askund në botë nuk do të jetë i aftë  ta zgjidhë vetë këtë problem. Do të duhet bashkëpunimi global për të arritur këtë. Reduktimi i emetimeve të metanit me të paktën 30% në vitin 2030 është plotësisht në përputhje me premtimin për të ulur me dy gradë celsius deri në vitin 2050.”

Në sektorin e energjisë, metani emetohet qëllimisht përmes ventilimit dhe aksidentalisht nga vende të tilla si rezervuarët e depozitimit të gazit, terminalet e gazit natyror të lëngshëm (LNG), stacionet e kompresorëve të tubacioneve dhe vendet e përpunimit të naftës dhe gazit.

Qeveritë në mbarë botën përfshirë Shtetet e Bashkuara, po paraqesin kërkesa që industria e naftës dhe gazit të zbulojë dhe riparojë rrjedhjet pasi studimet treguan se rrjedhjet në industri ishin një problem i madh.

Teksa dukej shumë e zymtë arritja e një marrëveshje për të hequr dorë nga karburantet fosile në samitin COP28 në Dubai liderët nga e gjithë bota u zotuan që të heqin gradualisht dorë nga përdorimi i tyre.

Për herë të parë përfaqësuesit nga afro 200 vende, u bën thirrje të gjitha vendeve të largohen nga përdorimi i lëndëve djegëse fosile. Teksti njeh nevojën për reduktime të thella, të shpejta dhe të qëndrueshme nëse njerëzimi do të kufizojë rritjen e temperaturës në 1.5C mbi nivelet para-industriale.

Emiratet e Bashkuara Arabe që kishte edhe presidencën e COP28 tha se kombet e vendosën botën në drejtimin e duhur.

“Ky proces mund t’i përgjigjet asaj që po na thotë shkenca. Që ai mund të japë për më të cënuarit dhe të mbajë temperaturën 1.5 gradë Celsius brenda mundësive. Unë kam nevojë që të gjitha palët të tregojnë edhe më shumë fleksibilitet. Ne kemi bërë përparim, por kemi ende shumë për të bërë. Nëse mund të ndihmoj, dera mbetet e hapur për të gjithë ju.”

Djegia e lëndëve djegëse fosile po nxit ngrohjen globale, duke rrezikuar miliona jetë. Deri më tani, qeveritë kurrë nuk kanë rënë dakord kolektivisht të ndalojnë përdorimin e tyre. Vendet ishullore të goditura fort nga ndryshimet klimatike janë kritike teksa përfaqësuesi i Samoas u shpreh se ata nuk ishin të pranishëm kur u miratua marrëveshja. Gjithashtu edhe aktivistët për klimën shprehen se marrëveshja nuk shkon aq larg sa duhet.

Marrëveshja kërkon në mënyrë specifike tranzicionin nga karburantet fosile në sistemet e energjisë së pastër në një mënyrë të drejtë, të rregullt dhe të barabartë në mënyrë që të arrihet zero neto deri në vitin 2050 në përputhje me shkencën. Ai gjithashtu bën thirrje për një trefishim të kapacitetit të energjisë së rinovueshme globalisht deri në vitin 2030, duke përshpejtuar përpjekjet për të reduktuar përdorimin e qymyrit. Tani që marrëveshja është arritur, vendet janë përgjegjëse për të ofruar politika dhe investime. /tvklan.al

Read Previous

Dhjetë serialet më të mira ndër vite në Netflix

Read Next

Ministri gjerman: Europa në rrezik, duhet të riarmatoset