Rregullorja e cila u ndalon zhvillimin e veprimtarisë shisha bareve afër objekteve të banimit, është miratuar në Kuvendin Komunal të Gjakovës me datë 30 prill të vitit të kaluar.
Mirëpo që nga ajo ditë nuk është ndërmarrë ndonjë veprim konkret për këtë qështje e as nuk u është tërhequr vërejtja këtyre bizneseve që janë në numër të madh sidomos në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës. Drejtori aktual për punë inspektuese në komunën e Gjakovës, Hysni Muhadri, thotë se ndonëse sapo ka marrë mandatin janë duke e shqyrtuar këtë çështje, teksa tregon se kanë filluar inspektimet dhe bizneset kanë marrë urdhëresat konform rregullores.
Marsi do të jetë muaji kur bizneset që ushtrojnë veprimtarinë e shishave e që nuk përmbushin kriteret do të mbyllen.
Prapa kamerave qytetarët thonë se fatkeqsisht moshat që frekuentojnë këto vende janë shumë të reja teksa rreziku shëndetësor është I njëjtë me duahnin që përmban nikotinë, katran dhe metale të rënda, duke përfshirë plumb dhe arsenik. Këto biznese nuk janë ilegale por konsiderohen të tilla nëse janë në afërsi të objekteve të banimit, shkollave apo objekteve fetare.