Departamenti amerikan i Shtetit ka miratuar një paketë ndihme prej 310 milionë dollarësh për trajnimin dhe mirëmbajtjen e aeroplanëve luftarakë F-16, bashkë me pajisje të tjera të lidhura për Ukrainën, njoftoi Pentagoni.
Ky zhvillim vjen vetëm disa ditë pasi Ukraina dhe SHBA nënshkruan një marrëveshje të mbështetur fort nga presidenti amerikan, Donald Trump, që parashikon qasje preferenciale për kompanitë amerikane në marrëveshjet për mineralet ukrainase, si dhe investime në procesin e rindërtimit të vendit, shkruan reuters.
Ukraina ka marrë më parë aeroplanë F-16 nga aleatë të SHBA-së, në kuadër të një programi transferimi të miratuar nga administrata e ish-presidentit amerikan, Joe Biden. Ndërkohë që Trump është treguar më i rezervuar për sa i përket mbështetjes ushtarake për Kievin, duke u mbështetur në ndihmat e autorizuara më herët nga paraardhësi i tij.
Nën drejtimin e Biden, SHBA ka angazhuar mbi 31 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën përmes mekanizmit të quajtur “Presidential Drawdown Authority” (Autoriteti i Shkarkimit Presidencial), që i jep presidentit fuqinë të transferojë pajisje ushtarake nga rezervat amerikane drejt vendeve të huaja, pa pasur nevojë për miratimin e Kongresit.
Sipas Pentagonit, kontraktorët kryesorë do të jenë Lockheed Martin Aeronautics, BAE Systems dhe AAR Corporation.
Paketa e ndihmës mund të përfshijë modifikime dhe përmirësime të aeroplanëve, trajnim për pilotët, mirëmbajtje afatgjatë, pjesë këmbimi, pajisje teknike në tokë, softuer dhe dokumente të klasifikuara, si dhe mbështetje logjistike. /Telegrafi/