Shtetet e Bashkuara njoftuan të martën se kishin miratuar shitjen e raketave të mbrojtjes ajrore me vlerë 1.33 miliard dollarë (1.17 miliard euro) në Poloni.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, paketa përfshin 400 raketa AIM-120D ajër-ajër me rreze të mesme veprimi.
Përveç kësaj, Varshava do të marrë gjithashtu komplete sistemesh udhëzuese, pjesë këmbimi, kontejnerë transporti, si dhe qasje në softuerin amerikan të nevojshëm për të operuar raketat.
Departamenti Amerikan i Shtetit miratoi shitjen e mundshme dhe Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes së SHBA (DSCA) tha se i kishte dhënë Kongresit njoftimet e nevojshme për miratim të mëtejshëm.
“Shitja e propozuar do të përmirësojë kapacitetet e Polonisë për të përballuar kërcënimet aktuale dhe të ardhshme duke ofruar mbrojtje ajër-ajër për të mbrojtur forcat polake dhe aleate në tranzicion ose luftim dhe do të përmirësojë ndjeshëm kontributin polak ndaj kërkesave të NATO-s”, tha DSCA në një deklaratë.
Uashingtoni thotë se shitja është në përputhje me qëllimet e saj të politikës së jashtme për të siguruar që aleatët e tyre, veçanërisht ata në NATO, të veprojnë si një “forcë për stabilitet politik dhe ekonomik në Evropë”.
Shitja vjen pasi Varshava kërkon të arrijë objektivat e saj për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 5% të PVB-së deri në vitin e ardhshëm, një kërkesë kryesore e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për anëtarët e NATO-s.
Javën e kaluar, Estonia, gjithashtu një anëtare e NATO-s, njoftoi një projekt-ligj prej shumë miliardë eurosh në shpenzime shtesë të mbrojtjes.
Polonia thotë se është e angazhuar të rrisë investimet ushtarake për t’u pajisur më mirë kundër çdo kërcënimi të mundshëm pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022. /Telegrafi/