Shtetet e Bashkuara dhe Rusia të martën u përplasën në OKB, duke e akuzuar njëra-tjetrën për mbështetjen e terrorizmit gjatë një takimi në Këshill të Sigurimit, i thirrur pas përshkallëzimit të papritur të luftimeve në Siri.
Rebelët sirianë e kapën qytetin Aleppo javën e kaluar në një sulm të nisur nga grupi Hayat Tahrir al-Sham, transmeton nacionale.
I njohur më parë si Fronti Nusra, ky grup ishte krah zyrtar i Al Qaedas në Siri deri në ndërprerjen e marrëdhënieve më 2016. Grupi është i sanksionuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zëvendësambasadori i ShBA-së në OKB, Robert Wood, bëri thirrje për depërshkallëzim të luftimeve në Siri dhe për mbrojtjen e civilëve. Ai gjithashtu shprehu shqetësim që ofensiva e rebelëve po udhëhiqej nga grupi Hayat Tahrir al-Sham.
“Fakti që HTS-ja është në listë si organizatë terroriste ng ShBA-ja dhe OKB-ja nuk i justifikon mizoritë e mëtejme nga regjimi i Assadit dhe përkrahësit e tij rusë” – tha diplomati amerikan, duke i akuzuar forcat e presidentit Bashar al-Assad dhe Rusinë për shkaktim të viktimave civile gjatë sulmeve ndaj shkollave dhe spitaleve.
Në komente drejtuar zëvendësambasadorit amerikan, ambasadori i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, tha: “Ju nuk ishit në gjendje që ta thërrisnit guximin për të dënuar një sulm të qartë terrorist të ndërmarrë kundër civilëve paqësorë në qytete paqësore siriane.”
“Nuk ka iluzione që Uashingtoni do të jetë ndonjëherë i gatshëm për ta luftuar sinqerisht terrorizmin ndërkombëtar. Të jem i sinqertë, ne jemi të kënaqur që tani jemi në anë të kundërta të barrikadave tani për tani me ju” – shtoi ai.
Zëvendësambasadori amerikan u kundërpërgjigj duke e akuzuar ambasadorin rus se “nuk është në pozicion për të na dhënë leksione rreth kësaj çështjeje”, sepse Moska “mbështet regjime që e sponsorizojnë terrorizmin përreth botës”.
“Shtetet e Bashkuara me dekada e kanë luftuar kamxhikun e terrorizmit dhe do të vazhdojnë që ta luftojnë atë kamxhik të terrorizmit” – shtoi amerikani./gazetaexpress/