Zyrtarë të lartë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina do të vazhdojnë të martën (sot) bisedimet tregtare për të dytën ditë me radhë në Londër, teksa shpresojnë në arritjen e një marrëveshjeje mbi kontrollin e eksporteve për produktet siç janë metalet e rralla, të cilat kanë kërcënuar tronditje të zinxhirit të furnizimit global dhe rritje më të ngadalshme ekonomike.
Nga ana tjetër, investitorët shpresojnë që dy fuqitë kryesore ekonomike mund të përmirësojnë marrëdhëniet e tyre, pasi lehtësimi i shkaktuar nga një marrëveshje paraprake tregtare e arritur në Gjenevë muajin e kaluar u zëvendësua nga pikëpyetje të reja.
Washingtoni kishte akuzuar Pekinin për bllokimin e eksporteve që janë thelbësore për sektorë të tillë si automjetet, gjysmëpërçuesit dhe mbrojtja.
Bisedimet po zhvillohen në një moment kyç për të dy ekonomitë, përderisa të dhënat doganore tregojnë se eksportet e Kinës drejt SHBA-së ranë për 34.5 për qind në muajin e kaluar. Kjo qe rënia më e madhe që nga shkurti i 2020-tës, që prej shpërthimit të pandemisë COVID-19.
Të dyja palët u takuan të hënën në “Lancaster House” të Londrës për të diskutuar mospajtimet mbi marrëveshjen e Gjenevës dhe do të vazhdojnë bisedimet gjatë ditës së sotshme.
Delegacioni amerikan udhëhiqet nga sekretari i Thesarit Scott Bessent, sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick dhe përfaqësuesi amerikan i çështjeve tregtare, Jamieson Greer, ndërsa delegacioni kinez udhëhiqet nga zëvendëskryeministri He Lifeng./koha.net/