SHBA-të dhe Kina kanë rënë dakord të ulin ndjeshëm tarifat për mallrat e njëra-tjetrës për 90 ditë, pas negociatave të tyre fundjavën e kaluar.
Duke folur në Gjenevë, sekretari i thesarit Scott Bessent ka bërë të ditur se “të dyja palët do t’i ulin tarifat e tyre me 115%”, pasi kanë rënë dakord për një pauzë 90-ditore, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ky është një ulje e ndjeshme e tensioneve në luftën tregtare që shpërtheu muajin e kaluar.
Para kësaj marrëveshjeje, SHBA-të kishin ngritur tarifën e tyre ndaj Kinës në 145% (duke përfshirë tarifën prej 20% të shtuar për të trajtuar importet e fentanilit në SHBA), me Pekinin që u kundërpërgjigj me tarifa prej 125% për importet amerikane.
Bessent u ka thënë gazetarëve se “të dyja palët treguan respekt të madh” gjatë bisedimeve të tyre dhe se “të dyja kemi interes për një tregti të ekuilibruar”.
Bessent gjithashtu sugjeron se ekziston mundësia e arritjes së marrëveshjeve me Kinën, të cilat mund të ndihmojnë në ngritjen e deficitit tregtar të SHBA-së me Kinën “në ekuilibër”.
Ai thotë se në bisedimet e fundjavës së kaluar pati një konsensus nga delegacionet e SHBA-së dhe Kinës se “asnjëra palë nuk dëshiron një shkëputje”.
Bessent ka shtuar se SHBA-të duan një tregti më të ekuilibruar dhe ai mendon se të dyja palët janë të përkushtuara për ta arritur këtë. /Telegrafi/