“Qeveria e Kosovës e Kryeministrit Albin Kurtit, ditë më parë ktheu mbrapsht ofertën e re të Qeverisë së Shqipërisë, për vazhdimin e përkrahjes së Shqipërisë për Kosovën, në trajtë të vaksinës Sinovac, e cila është prodhim i Kinës”.
Opinionisti Blerim Shala ka thënë se Kosova nuk e ka komoditetin që t’i refuzojë vaksinat kundër COVID-19 nga shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.
Blerim Shala e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për deklaratën e dhënë ditë më parë duke thënë se ktheu mbrapsht ofertën e re të Qeverisë së Shqipërisë, për vazhdimin e përkrahjes së Shqipërisë për Kosovën, në trajtë të vaksinës Sinovac, e cila është prodhim i Kinës, njofton Klan Kosova.
“Para dhjetë ditësh, ne e morëm atë kontingjentin e parë prej 24 mijë vaksinave, në kuadër të Programit COVAX (të Organizatës Botërore të Shëndetësisë). Para këtij kontingjenti, falë Qeverisë së Shqipërisë së Kryeministrit Edi Rama, disa qindra punëtorë shëndetësorë patën nisur të vaksinohen në Kukës”.
“Megjithatë, numri i të vaksinuarve për çdo ditë në Kosovë, është shumë më i ulët se sa i atyre që infektohen nga ky virus. Do të duhej të sigurohej një raport i anasjelltë, ashtu që Kosova të hyjë në një cikël të ri, në fund të të cilit do të mund të kthehej një farë normaliteti në vend. Qeveria e Kosovës e Kryeministrit Albin Kurtit, ditë më parë ktheu mbrapsht ofertën e re të Qeverisë së Shqipërisë, për vazhdimin e përkrahjes së Shqipërisë për Kosovën, në trajtë të vaksinës Sinovac, e cila është prodhim i Kinës”.
“Në justifikimin e këtij vendimi, Kryeministri Kurti, konstatoi, pos tjerash, që ‘(Kosova) nuk e ka komoditetin e pranimit të vaksinave gjithandej, siç po e bëjnë disa shtete të tjera’. Kryeministri po ashtu përsëriti që orientimi i Kosovës është ‘evropian dhe euroatlantike me shtete, të cilat na kanë njohur dhe prandaj kemi rezervën tonë dhe skepticizmin tonë, por njëkohësisht qëndrimin tonë të qartë karshi ofertave të ndryshme, të cilat mund të na vijnë nga shtete mos-njohëse jashtë Evropës. Situata në këtë aspekt është më delikate për Kosovën sesa me vendet e tjera të rajonit’, konkludoi ai”.
“Ky vendim i Kryeministrit Kurti dhe i Qeverisë së tij shkaktoi reagime të shumta, të cilat spikatnin faktit që tregu i Kosovës, në përgjithësi, të thuash është i ‘vërshuar’ nga mallrat kineze. Këtu mund të shtohet një e dhënë pak a shumë e ditur për të gjithë ne, që edhe maska higjienike, si mjeti i parë në luftimin e virusit (nëse vaksina është e fundit), në Kosovë, si në gjithë Botën, në shkallë prej gati 90% na vjen nga Kina. A do të thotë kjo që ne është dashtë ta refuzojmë maskën, pasi vjen nga një shtet mos-njohës, çfarë është Kina? Në mbrojtjen dhe në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve të Kosovës, përdorimi i politikës vështirë që të ndihmon, edhe nëse kemi të bëjmë me ato raportet edhe ashtu të çrregulluara në skenën politike vendore, edhe nëse në shfaqen relacionet e Kosovës me shtetet e tjera në Botë, me ato që na kanë njohur dhe me të tjerat që nuk na kanë njohur”.
“Kosova nuk ka kurrfarë komoditeti për të bërë politikë parimore (dhe politikë me parime), dhe për të kundërshtuar apo për ta refuzuar, një ndihmë të këtillë të ofruar nga Qeveria e Shqipërisë”.
“Ruajtja e jetës së njeriut, siç na ka mësuar qëmoti Thomas Hobbes, është në themelet e krijimit të shtetit”.
“Ruajtja e jetës së qytetarëve të një shteti, përmirësimi i saj, gjithsesi, është thelbi i Kushtetutave të shteteve demokratike”.
“Ky parim duhet të jetë kyç për Qeverinë e Kosovës, derisa për çdo ditë marrim lajme për vdekjet dyshiforore të qytetarëve të Kosovës”./KlanKosova.