Sezoni 3 i Mindhunter nuk do të ndodhë, politika e Netflix vijon të bazohet te shikueshmëria dhe kostot

Në mendjen e çdo dashamirësi të kinemasë së ekranit të vogël, nuk ka dyshime se “Mindhunter”, historia e dy detektivëve Holden Ford dhe Bill Tench, të cilët studionin psikologjinë e vrasësve serialë më të njohur në historinë amerikane, është një prej më të mirë realizuarave në vitet e fundit.

Prapë se prapë, sezoni i tretë, i pritur prej shumë e shumë kohësh nga gjithë personat, të cilat i kanë ndjekur dy të parët, nuk do të ndodhë dhe këtë e ka theksuar sërish regjisori, David Fincher.

Pas përmbylljes së sezonit të dytë, Netflix e saktësoi se disa angazhime të Fincher, do ta shtynin realizimin e Mindhunter me disa vite.

Mirëpo ato angazhime janë përmbyllur prej kohësh dhe puna për të shkruar apo filmuar sezonin e tretë, nuk gjendet askund.

As në mendjen e vetë Netflix-it, kompani e cila vijon që realizimin e serialeve televizive, ta bazojë në një raport mes kostove dhe shikueshmërisë.

Ka qenë shqetësim i madh ky i fundit, ku është dukur se “numri magjik” që një serial të rinovohet, është ai prej 50%.

Jo sa i përket numrit të abonentëve të cilët e shohin, por sa i përket atyre, të cilët e nisin dhe e përfundojnë gjithë serialin.

Në një botë shumë frenetike intelektualisht, situatat të kuptueshme më thjeshtësisht nga masa po gjejnë hapësira gjithnjë e më të mëdha, pasi janë të lehta për t’u realizuar, përmbyllen shumë shpejt dhe konsumohen si kokoshka nga gjithë shikuesit.

Nga ana tjetër, Mindhunter është një histori e elaboruar, e cila e mbërthen shikuesin përballë ekranit, duke e sfiduar atë të parashohë arsyet e zhvillimit karakterial të çdo personazhi, marrë parasysh edhe një zhvillimi me dy narrativa që spektakli ka.

Në të parin, Ford dhe Tench, ndjekin linjën logjike të takimit me vrasës serialë të ndryshëm, ndër më famëkeqët në historinë amerikane. Kështu, ata fillojnë të zbulojnë matrica të ndryshme sjellore, të cilat mund t’i ndihmojnë të zbardhin krimet që ndodhin në kohën reale të intervistimit të personazheve të tjera.

Nga ana tjetër, linja e dytë e skenarit, ka të bëjë me zhvillimin e një prej vrasësve serialë më të njohur në të gjithë kohërat në SHBA, i emërtuar si “BTK Killer”, i cili veproi për më shumë se dy dakada pa u kapur dhe shkaktoi duzina viktimash.

E gjitha, parashtruar në një mënyrë shumë subtile, me skena sporadike të futura aty-këtu në ngjarjet e çdo serie, për të bërë të mundur intrigimin e shikuesit dhe ndjekjen e një formule tejet të vështirë për t’u përtypur intelektualisht, nëse vëmendja nuk është maksimale.

Në këtë të fundit shpaloset edhe pika e dobët e konsumatorit, i cili është shikues në këtë rast, pasi serialet gjithnjë e më shumë po shërbejnë si një shërbim i qëndrimit në sfond, kur shikuesit po merren me diçka tjetër, se sa me bërjen e mirëfilltë të kinemasë.

Fatin e ngjashëm me Mindhunter, e kanë pësuar së fundmi edhe seriale të tjera si Westworld, apo 1899, të cilët kërkojnë po ashtu angazhim mendor.

Ato njihen ndryshe edhe si seriale me një “slow burn” (djegie të avashtë të zhvillimeve, për ta mbajtur të angazhuar shikuesin”.

Djegien reale në ekranin e vogël ama, po e kanë të shpejtë…tepër të shpejtë! /Albanianpost.com

Read Previous

Përfundon eksperimenti më i madh në botë i punës katërditore

Read Next

Publikohet raporti i fundit i ASK-së, bie çmimi i vajit dhe detergjentit