Profesori në Universitetin “Johns Hopkins” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Daniel Serwer, duke folur për politikën e SHBA-ve, nëse Kamela Harris zgjidhet presidente, ka thënë se Kosova asaj do t’i duket si Tajvani apo Ukraina.
Njohësi i hershëm i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor ka theksuar se Harris nuk do ta mbështesë as Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Harris është një mbështetëse e fortë e luftës së Ukrainës kundër pushtimit rus. Ajo do të dëshirojë të shohë Kievin të fitojë dhe Moskën të humbasë. Ajo nuk do të pajtohet lehtë për ndarjen. Ky qëndrim ka të ngjarë të transferohet në Ballkan”, ka thënë Serwer në një artikull të publikuar në faqen e tij “Peacefare”.
Harris është gjithashtu e ashpër ndaj Kinës, potencon ai, “si Biden ashtu edhe Trump”.
“Kosova mund të duket si Tajvani (dhe Ukraina) për të. Kjo do të thotë se duhet të ushqehet dhe të mbrohet nga pretendimet territoriale nga një ish-sovran. Ajo nuk ka gjasa të ketë simpatike ndaj Asociacionit apo autonomisë së Republika Srpska. Dikush duhet ta këshillojë herët dhe shpesh se të dyja janë ide të këqija”, shtoi.
Specialisti në fushën e menaxhimit të konfliktit ka vazhduar kritikat sa i përket administratës së Joe Biden, i cili u tërhoq nga gara presidenciale, në raport me Ballkanin, posaçërisht me Serbinë.
“Administrata Biden ka miratuar një politikë qetësimi ndaj Serbisë. Megjithatë, nuk ka asnjë arsye pse Harris duhet ta vazhdojë atë. Presidenti Vuçiç e ka orientuar Beogradin drejt lindjes, duke u rreshtuar me Kinën, Rusinë dhe autokracitë e tjera, duke përfshirë Azerbajxhanin dhe Hungarinë”, pohoi ai. /Albanianpost.com