Senati amerikan ka konfirmuar të hënën Scott Bessent-in si sekretar të Thesarit, në qeverinë e Presidentit Donald Trump.
Drejtuesi miliarder i fondeve të investimeve, tashmë ka një rol qendror në hartimin e përparësive politike të administratës së re në lidhje me uljen e taksave, të shpenzimeve qeveritare dhe menaxhimin e marrëdhënieve ekonomike me aleatët dhe kundërshtarët.
Si sekretari i 79-të i Thesarit, Bessent do të ketë ndikim mbi mbledhjen e taksave dhe tregun e borxhit të thesarit prej 28 trilionë dollarësh, mbi politikën fiskale, rregulloret financiare, sanksionet ndërkombëtare dhe investimet nga jashtë.
Votimi ishte 68-29, me 16 demokratë që mbështetën emërimin e tij, raporton VOA.
Bessent, 62 vjeç, tashmë është shfaqur si një mbrojtës i fuqishëm për agjendën ekonomike të Presidentit Trump, e cila përqendrohet tek ulja e taksave dhe vendosja e tarifave të larta, që demokratët dhe disa ekonomistë, argumentojnë se mund të zhbëjnë një pjesë të përparimit që ka bërë Rezerva Federale në vendosjen e inflacionit nën kontroll.