Selimi: Ka vullnet në Këshillin e Evropës për Kosovën, por a po dëshiron ajo?

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, ka vlerësuar se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është shumë i rëndësishëm dhe se, sipas tij, kjo organizatë ka vullnet për t’i hapur dyert Kosovë.

Por, dilema në vlerësimin tij është se a dëshiron Kosova një gjë të tillë.

“Në vitin 2012 – 2014 kamë udhëhequr përpjekjet e anëtarësimit të Kosovës në Komisionin e Venecias dhe në Bankën e Zhvillimit të Këshillit të Evropës. Kosova ka përfituar jashtëzakonisht shumë nga këto organe. Të jesh anëtar i Këshillit të Evropës është edhe më i rëndësishëm. Tani ka vullnet në KiE për t’i hapur dyert Kosovës, po a dëshiron Kosova?”, ka pyetur Selimi përmes një postimi në platformën sociale, X.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës për gazetarin gjerman, Michael Martens, që për shumë kohë ka shërbyer për media të ndryshme si korrespondent nga Ballkani, është vështirë të ndodhë në rast se Kosova s’e zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

Aktualisht gazetar i Frankfurter Allgemeine Zeitung, Martens beson se çështja e Manastirit të Deçanit s’ka të bëjë me rëndësinë historike të monumentit, por për të treguar sa e respekton Qeveria e Kosovës sundimin e ligjit.

Prandaj, në vlerësimin e tij nëse Qeveria e Kosovës nuk vepron në këtë drejtim, dyert e Këshillit të Evropës do të mbeten të mbyllura.

“Kjo është për të ardhur keq, pasi zgjidhja e kësaj mosmarrëveshje do të ishte e mundur. Shpejt dhe pa kosto të mëdha politike. Edhe me përfitim, pasi respektimi i shtetit ligjor është vetërespekt në çdo demokraci”.

Shkrimi i Martens vjen në një kohë kur kanë plasur kërkesat ndaj Kosovës për zbatimin e vendimit të gjykatave të Kosovës për tokat rreth Manastirit të Deçanit.

Javën e kaluar ishte fillimisht Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), Giovanni Barbano, që këroi zbatimin e vendimit të Kushtetueses.

“Vënia në pikëpyetje e Gjykatës Kushtetuese dhe vendimeve gjyqësore minon pavarësinë e gjyqësorit, duke gërryer shtetin e së drejtës. Vendimi i vitit 2016 për Manastirin e Deçanit është i detyrueshëm për të gjithë personat dhe institucionet, pa përjashtim”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.

Pas tij ishte ambasadori gjerman, Jorn Rohde që shpalosi kërkesën e njëjtë.

Përmes një postimi në platformën sociale, X, Rohde ka potencuar se të gjithë miqtë dhe partnerët e Kosovës aktualisht e kanë të njëjtën kërkesë.

Kjo kërkesë kishte daluar edhe në raportin që e përpiluan juristët eminentë, Spiliopolou Akermark dhe Thomas Markert, që në kuadër të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, bënë vizitë në Kosovë.

Misioni faktmbledhës i tyre disa ditor kulmoi me një raport, në të cilin ndër të tjera kërkohet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, reforma për të përmirësuar efikasitetin e sistemit gjyqësor e përmbajtja nga përdorimi i forcave speciale të Policisë së Kosovës në Veri të Kosovës.

Raporti 28 faqesh i publikuar nga Këshilli i Evropës është ndarë në gjashtë pjesë ku analizohet korniza kushtetuese e Kosovës, Demokracia, Zbatimi i Ligjit e Drejtat e Njeriut.

Raporti i Këshillit të Evropës ndër të tjera vlerëson se Qeveria e Kosovës duhet të respektojë pa vonesa të mëtejshme aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin e Manastirit të Deçanit./Albanianpost.com

Read Previous

Banka Botërore: Kosova ka arritur gati 100 pikë nga raporti Gratë, Biznesi dhe Ligji 2024

Read Next

Osmani i pranon letrat kredenciale nga ambasadori jorezident i Malajzisë