Sali Berisha nuk paraqitet në SPAK

Kryedemokrati Sali Berisha nuk është paraqitur këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme SPAK për masën “detyrim paraqitje”.

Arsyeja e mosparaqitjes, sipas avokatit, është për arsye shëndetësore.

Me çfarë ka të bëjë konkretisht çështja e Berishës?

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK) do të zbulonte përmes një njoftimi zyrtar detajet hetimore lidhur me privatizimin e ish-kompleksit të klubit Partizani.

Në mesin e të akuzuarve ishin ish-kryeministri Sali Berisha me veprimet e tij konkrete për të bërë që dhëndri i tij Jamarbër Malltezi të përfitonte nga kjo skemë e parregullt.

Më saktë, objekti i hetimit të këtij procedimi penal, sipas SPAK-ut, ishin veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë, për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani” dhe “Klubit Shumësportësh Partizani”.

Prokuroria e Posaçme dyshon se Berisha ka konsumuar veprën penale të ‘Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë’, e kryer në bashkëpunim me shtetasin Jamarbër Malltezi, parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

SPAK shton se Berisha në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, dyshohet se ka kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore.

Kjo, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte Jamarbër Malltezi.

Berisha, dyshohet madje se ka kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të Jamarbër Malltezit, vijon SPAK-u.

Sipas Prokurorisë, Berisha dyshohet se ka kryer po ashtu veprime aktive në vendosjen në dispozicion të Malltezit, të strukturave të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore./Albanianpost.com

Read Previous

Nis gjykimi ndaj 53 të akuzuarve për masakrën e Mejës

Read Next

​Nis Java Olimpike, KOK-u shpalos detajet e aktiviteteve