Për “Gazzetta dello Sport”, ish-trajneri Arrigo Sacchi ka folur për momentet e ndryshme të Juventusit dhe Milanit, duke nisur nga fitorja e bardhezinjve në përballjen direkte të javës së fundit të Serie A: “Pas asaj që thashë, se Juve e meritoi fitoren ndaj Milanit dhe se bardhezinjtë më duken në rritje, duhet theksuar gjithashtu se për këto dy skuadra, garimi për titullin është komprometuar.
Mund të ndodhin shumë gjëra, natyrisht, por më duket se Napoli dhe Interi po lëvizin me një shpejtësi dukshëm më të madhe. Në këtë pikë, si Milani ashtu edhe Juventusi kanë detyrimin të vazhdojnë rrugën e tyre në Ligën e Kampionëve.
Nuk do të jetë e thjeshtë, por i kanë mundësitë. Dhe pastaj, duhet patjetër të sigurojnë kualifikimin për edicionin tjetër të Champions-it, sepse kjo do të thotë të sjellësh para në arkat e klubeve. Mendoj se situatat janë mjaft të ndryshme dhe do ta shpjegoj.
Juventusi ka nisur një rrugë të re, duhet t’i jepet kohë Thiago Mottës për të transmetuar idetë e tij. Ndërkohë, më duket se puna e bërë është mjaft e mirë dhe nga tani deri në fund të sezonit ka hapësira të mëdha për përmirësim, si në nivel kolektiv, ashtu edhe në nivel individual.
Për Milanin, nga ana tjetër, historia është paksa ndryshe. Ka bërë, brenda disa muajsh, dy revolucione: fillimisht me Fonseca dhe tani me Conceiçao. Duhet durim dhe, mbi të gjitha, klubi ka detyrimin të mbështesë punën e trajnerit të ri. Milani, esencialisht, varet nga dy lojtarë: Leao dhe Theo Hernandez.
Kur këta spikasin, e gjithë skuadra funksionon. Në të kundërt, ka telashe. I takon Conceiçao që t’i mbajë gjithmonë këto dy lojtarë në formë, në mënyrë që të mund të ngjiten në renditje dhe të sigurojnë kualifikimin për Ligën e Kampionëve”. /Telesport.al/