Komandanti i misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Enrico Barduani, mirëpriti në Kosovë Këshillin e Atlantikut të Veriut (NAC), së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe Zëvendës-sekretaren e Përgjithshme të NATO-s, Radmila Shekerinska.
Sipas njoftimit të KFOR-it, gjeneralmajor Barduani ndau pikëpamjet e tij mbi situatën aktuale të sigurisë në rajon, duke theksuar përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës dhe për të mbështetur dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Gjithashtu, Barduani u takua me ambasadorët e vendeve që kontribuojnë me trupa në KFOR, duke i falënderuar ata për mbështetjen e tyre të vazhdueshme ndaj misionit dhe stabilitetit rajonal.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë. Ne bashkëpunojmë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vizitoi ditën e djeshme Kosovën, për herë të parë pasi mori këtë detyrë. Ai sot takoi presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe trupat paqeruajtëse të NATO’s, KFOR.
Mesazhet kryesore të tij ishin se KFOR mbetet faktor stabiliteti në Kosovë bashkë me SHBA-në dhe që NATO do të vazhdoj të kontribuojë për sigurinë në vend dhe rajon, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Rutte tha se aleanca është e gatshme t’i përgjigjet çdo zhvillimi të sigurisë në Kosovë. Por, shefi i NATO-s u kërkoi udhëheqësve që të veprimet që ndërmarrin të mos jenë në kundërshtim të angazhimeve paraprake, teksa kërkoi nga Kosova dhe Serbia fleksibilitet dhe kompromise në dialog./Reporteri.net/