Rusia shënon rekord të zi, më shumë viktima se raste

Rusia ka raportuar shifër rekorde të viktimave të koronavirusit të martën. Ky shtet po përballet edhe me rritje të numrit të rasteve, të nxitur nga përhapja e variantit ngjitës, Delta, dhe nga zhvillimi i ngadalshëm i programit të vaksinimit.

Sipas të dhënave zyrtare, Rusia të martën regjistroi 29.652 vdekje të lidhura me koronavirusin për 24 orë, duke e rrëzuar rekordin e shënuar në dhjetor të vitit të kaluar. Përpos vdekjeve, gjatë kësaj periudhe u regjistruan edhe mbi 20.000 raste të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm në gati 5.5 milionë.

Kremlini njoftoi se caku i vaksinimit, që është vendosur nga vetë autoritetet, nuk do të arrihet. Në javët e fundit, Moska dhe qyteti i dytë më i madh rus, Shën Petersburgu, kanë shënuar rritje të madhe të rasteve, duke i nxitur autoritetet që të kthejnë në fuqi disa masa kufizuese, shkruan Free Europe.

Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, ka thënë se varianti Delta përbën 90 për qind të rasteve të reja në kryeqytetin rus, ku të martën për 24 orë u regjistruan mbi 6.200 të infektuar. Për ta luftuar përhapjen e virusit, ai i urdhëroi bizneset që 30 për qind të stafit të pavaksinuar ta dërgojnë në shtëpi.

Në një takim qeveritar, ministri i Shëndetësisë, Mikhail Murashko, tha se 23 milionë njerëz nga 146 milionë banorët e Rusisë e kanë marrë të paktën dozën e parë të vaksinës, pavarësisht se qytetarët kanë pasur qasje në vaksina falas nga dhjetori.

Me mbi 134.000 viktima, Rusia e ka numrin më të madh të të vdekurve nga koronavirusi në Evropë. Kritikët thonë se autoritetet ruse i zvogëlojnë shifrat dhe se numri i vërtetë i viktimave mund të jetë më i lartë.

Read Previous

Ambasadori hungarez në Kosovë viziton bibliotekën “Ibrahim Rugova”

Read Next

Komuna e Gjakovës ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës për rastin e serbes