Rubin: Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfshijë njohjen reciproke

James Rubin, emisar i posaçëm dhe koordinatori i Qendrës për Angazhimin Global të Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), në një intervistë për “Zërin e Amerikës” të enjten, potencoi se qëllimi përfundimtar i dialogut nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE) për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja reciproke.

“Kosova dhe Serbia kanë probleme – problemet duhet të zgjidhen. Ato duhet të normalizojnë marrëdhëniet […] Me rëndësi është cili është qëndrimi ynë dhe qëndrimi ynë është të propozojmë që normalizimi të përfshijë njohjen e ndërsjellë të të dy vendeve”, deklaroi diplomati i lartë amerikan.

Kështu u përgjigj Rubini kur u pyet për deklaratën e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, i cili në një intervistë për revistën e përjavshme serbe “NIN” javën e kaluar, vlerësoi se Serbisë pro-ruse nuk do t’i kërkohet njohja de jure e Kosovës për t’u bërë anëtare e bllokut evropian.

Megjithatë, zyrtari i lartë i diplomacisë amerikane nënvizoi se është vështirë të imagjinohet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa njohje. Ndërkohë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, deklaroi se procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojnë me njohje reciproke.

“S’do të dëshiroja të futesha në mes të dy ambasadorëve, por qëndrimi amerikan është që qëllimi afatgjatë i normalizimit nënkupton njohje. Është vështirë të imagjinosh normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa njohje… Prandaj pikëpamjet e ambasadorëve amerikanë se çka mendon BE-ja nuk janë të rëndësishme”, u shpreh ai.

Rubini komentoi edhe krisjen dhe acarimin në marrëdhëniet midis Kosovës dhe SHBA-së. Në aspektin diplomatik, shtoi ai, marrëdhëniet ndërshtetërore “nuk janë aktualisht aq të mira” për shkak të refuzimit të qeverisë aktuale nën drejtimin e kryeministrit kosovar, Albin Kurti, për të themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

“Qartazi ka shqetësime për mënyrën se si qeveria aktuale ka vepruar në aspektin diplomatik duke mos përmbushur (kërkesën) për krijimin e asociacionit. Por, thënë troç, jemi miq, jemi miq të mirë… populli i Kosovës dhe populli i Shteteve të Bashkuara nuk ka si të jenë më të afërt dhe nuk mendoj se ka dilemë rreth kësaj çështjeje”, shtoi Rubini mes tjerash.

Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve vitin e kaluar. Megjithatë, kjo marrëveshje s’e përfshinë njohjen reciproke mes dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat, targat e veturave dhe vulat doganore, që përkthehet si njohje de facto./Albanianpost.com

Read Previous

Ministrat e Jashtëm të KiE-së më 24 maj në takim me ministrat e Ballkanit Perëndimor

Read Next

Gjermania kritikohet për shqyrtimin e dëbimit të afganëve dhe sirianëve