Riker: Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të jetë prioritet për administratën amerikane

Ish-zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit dhe diplomati amerikan Filip Riker, ka deklaruar se pavarësisht rëndësisë që mund të ketë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i njëjti s’do të jetë prioritet për administratën e re të Donald Trump.

Riker në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), formimin e komisionit të ri evropian dhe rikthimin e Donald Trump, në krye të administratës amerikane e ka vlerësuar si një moment të rëndësishëm për shqyrtimin e hapave të ardhshme në zgjedhjen e sfidave në Ballkanin Perëndimor.

“Nuk mendoj se çështja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë në krye të agjendës së administratës amerikane. Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përpiqen të ndihmojnë vendet e Ballkanit Perëndimor të kapërcejnë problemet e së kaluarës dhe të gjejnë një rrugë për një të ardhme më të mirë për qytetarët e tyre”, deklaroi Riker.

Meqë në të kaluarën ai kishte shërbyer edhe në rolin e zëvendës ndihmës të sekretarit amerikan të shtetit, ai tha se dialogu mbetet zgjidhja e vetme për çështjet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Dialogu ka rezultuar në marrëveshje të mira, por nuk shohim përparimin e pritur në zbatimin e tyre. Ekziston një detyrim për të ndërmarrë hapa konkretë. Pse të presim një dekadë tjetër për të zgjidhur çështje që, nga pikëpamja globale, janë relativisht të thjeshta”.

“Mendoni për gjërat me të cilat kemi të bëjmë sot në planet dhe ju shqetësoheni per tabelat e regjistrimit ose Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe. Mbyllni këto procese dhe shfrytëzojeni mundësitë që janë përpara jush”.

Sipas tij, fokusi kryesor i presidentit Trump do të jetë siguria dhe prosperiteti.

“Presidenti Trump ka përcaktuar qartë prioritetet që janë të orientuara nga ajo që është e rëndësishme për Amerikën dhe qytetarët e saj. Kjo nuk është një izolacionizmi i plotë, por njerëzit duhet të jenë të rezervuar në pritshmëritë e tyre që SHBA të zgjidhë problemet e tyre. Bota sot përballet me sfida të mëdha gjeopolitike që kërkojnë vëmendje urgjente”.

Gjatë mandatit të parë të Donald Trump si President i SHBA-së, administrata e tij u përqendrua fuqimisht në atë që e quajti “normalizim ekonomik” të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Më 2020, Kosova dhe Serbia në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit Trump, nënshkruan Marrëveshjen e Uashingtonit për normalizim ekonomik.

Kjo marrëveshje, që përfshiu edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar plotësisht./Albanianpost.com

Read Previous

Rikthehet Superliga e Kosovës në futboll

Read Next

Kosova importoi mallra në vlerë mbi 580 milionë euro, eksportoi mbi 87 milionë