Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi tha sot se, raporti i zhvlerësimit të euros me lekun i adresohet ritmit të shpejtë të rritjes ekonomike.
Gjatë diskutimit të Pr/buxhetit 2025 në Komisionin e Ekonomisë, Minxhozi u shpreh se, BSH po punon të ngadalësojë ritmin e zhvlerësimit të euros.
“Banka e Shqipërisë bashkohet me shqetësimin e zhvlerësimit të euros, më shumë se për zhvlerësimin shqetësimi është për ritmin e zhvlerësimit, pasi mund të shkaktojë dëme ekonomike. Ndërsa në afatgjatë ne jemi duke parë për të bërë analiza shumë të hollësishme se çfarë i sjellë ekonomisë shqiptare një zhvlerësim i shpejtë. Për ne është problem ritmi i shpejtë i zhvlerësimit, dhe ne po e analizojmë dhe të propozojmë një rrugë se si mund të ngadalësohet ritmi i rënies”, u shpreh Minxhozi.
Duke u ndalur në ndikimin që po jep ky trend i ri i kursit të këmbimit në industrinë fason, ajo shpjegoi se, “industria fason ka qenë një sektor primar vitet e shkuara që më parë ka qenë e favorizuar nga kursi i këmbimit dhe tani është e disfavorizuar”.
“Kjo industri duhet ta konsiderojnë kursin e këmbimit si rrezik në planin e tyre të biznesit. Ne u kemi sugjeruar që të shikojnë drejt të ardhmes dhe të rishikojnë planet e tyre. Industria fason e ka nisur aktivitetin mbi krahun e lirë të punës, dhe rreziku nga mungesa e punësimi është më i madh se rreziku që iu vjen nga kursi i euros. Ato duhet të ndryshojnë modelin e biznesit”, tha Minxhozi.
Ndërsa drejtori i Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, Erald Themeli vuri në dukje se forcimi i lekut në raport me euron ka kontribuar me rreth 4 pikë përqindje në masën e rënies së borxhit publik.
Ai theksoi se ky raport i ri këmbimi ka absorbuar presionet e huaja inflacioniste.
Themeli theksoi se, nëse Banka e Shqipërisë do të ndërhynte në kurs për ta stabilizuar, në mënyrë që bizneset të fitonin më shumë, ekonomia do të dëmtohej, pasi do të rriteshin interesat dhe inflacioni.
“Ne do të na duhej të kishim një normë bazë interesi në 10% nëse do të ndërhynim në kursin e këmbimit për ta stabilizuar atë, që t’u rrisnim fitimet bizneseve. Po ashtu, po të ndërhynim në kurs do të kishim një inflacion dyshifror ende dhe shumë larg objektivit tonë. Zhvlerësimi ka ndikuar në rënien e borxhit, ka ulur çmimet e importit, bizneset kanë përfituar terma më të mira financimi, pasi interesat kanë qenë të qëndrueshme”, tha Themeli.
Minxhozi informoi edhe mbi kreditimin. “Kreditë e biznesit bëjnë pjesë në grupin e rëndësishëm që bankat inkurajojnë për ti mbështetur, por bankat tregtare në vend kanë rregulloret e rriskut dhe janë ato që bëjnë analizën e rriskut mbi bazën e të cilave zhvillojnë kreditimin.
Rritja e kreditimit është sinjal që ekonomia po zhvillohet dhe rritja e kredisë është tregues që ekonomia jonë ka një prespektivë përpara. Por bankat janë strikte për matjen e rriskut të kredisë dhe është politikë e bankave tragëtare. Banka e Shqipërisë është në bashkëpunim të vazhdueshëm me bankat tregtare dhe u jep informacion se kush janë industritë që po rriten me shpejtësi dhe këto janë elementë që bankat iu referohen për të bërë analizat e tyre. Bankat japin kredi vetëm mbi bazën e bilanceve të formalizuara”, deklaroi ajo. /ATSH/