Në përpjekje për të përforcuar stabilitetin financiar dhe për të siguruar një menaxhim më të mirë të rezervave valutore, Banka e Shqipërisë ka realizuar blerje të konsiderueshme valute gjatë tremujorit të tretë të vitit 2024.
Totali i blerjeve për tremujorin e tretë arriti kështu në 270.50 milionë euro, duke reflektuar përpjekjet e vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë për të ruajtur një bazë të qëndrueshme valutore dhe për të përmbushur objektivat e politikës monetare.
Si pjesë e një strategjie të shpallur më herët, banka zhvilloi gjashtë ankande për blerjen e valutës, dy prej të cilëve u realizuan me opsionin inovativ FORWARD, duke kontribuar jo vetëm në rritjen e rezervave, por edhe në zhvillimin e tregut financiar.
Në këto ankande u siguruan 94.40 milionë euro, një rritje krahasuar me blerjet e tremujorëve të mëparshëm. Mesatarja e blerjeve në ankande këtë tremujor u rrit në 15.70 milionë euro, një përmirësim domethënës krahasuar me 14.50 milionë euro në ankandet e tremujorit të kaluar.
Ndërkohë, ndërhyrjet direkte të Bankës në tregun valutor siguruan një shtesë prej 176.10 milionë eurosh.
Banka e Shqipërisë ka planifikuar një rritje të mëtejshme të blerjeve të valutës në vitin 2025, të paktën në pjesën që lidhet me ankandet për të rritur rezervën valutore.
Kjo është me diferencë të madhe vlera më e lartë historike e blerjeve të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor për këtë periudhë të vitit, shkruan Monitor.
Pjesa më e madhe e kësaj shume, rreth 58% ishin blerje direkte me qëllim kontrollin e kursit të këmbimit, ndërsa pjesa e mbetur prej 42% ishin blerje të kryera nëpërmjet ankandeve, në kuadrin e objektivave të lidhura me rritjen e rezervës valutore.
Pasi inflacioni në fillim të këtij viti ra poshtë objektivit prej 3%, Banka Qendrore vendosi të ndërhyjë në tregun valutor, duke tërhequr një pjesë të ofertës së madhe të euros dhe duke rritur ofertën monetare të lekut.
Pavarësisht blerjeve të mëdha të Bankës së Shqipërisë, kursi i këmbimit mes euros dhe lekut ka vijuar rënien këtë vit, duke prekur rekorde të reja historike, pranë nivelit të 98 lekëve. Në terma mesatarë, sipas Bankës së Shqipërisë, për 11-muajt e vitit 2024, kursi i këmbimit të euros kishte nivelin e 100.9 lekëve, në rënie me 7.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Duke pasur parasysh shumën e madhe të blerë nga Banka e Shqipërisë, është e qartë se në mungesë të këtyre blerjeve kursi i këmbimit do të kishte pësuar një rënie edhe më të madhe.
Banka e Shqipërisë ka planifikuar një rritje të mëtejshme të blerjeve të valutës në vitin 2025, të paktën në pjesën që lidhet me ankandet për të rritur rezervën valutore. /Albanianpost.com