Gjykata Speciale ka njoftuar se është arrestuar ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dritan Goxhaj.
Sipas Speciales ai është arrestuar nga autoritetet e Shqipërisë, në Tiranë.
Për gazetën online Reporteri.net, kjo gjykatë ka konfirmuar se Goxhaj është arrestuar në Tiranë gjatë ditës së sotme nga autoritetet shqiptare.
Sipas tyre, arrestimi i tij është bërë me anë të bashkëpunimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës me autoritetet shqiptare.
Sipas përgjigjes, Goxhaj po dyshohet në lidhje me veprat kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësimin dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
“Më 31 korrik 2023, autoritetet e Shqipërisë arrestuan z. Dritan Goxhaj në Tiranë. DHSK-ja kërkoi bashkëpunimin dhe ndihmën e autoriteteve shqiptare për arrestimin e z. Goxhaj dhe dorëzimin e tij në DHSK, mbi bazën e fletarrestimit të lëshuar nga një gjykatës i DHSK-së në lidhje me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësim dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare. Z. Goxhaj do të mbahet i paraburgosur në Shqipëri në pritje të vendimit të autoriteteve shqiptare lidhur me transferimin e z. Goxhaj në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë.”, thuhet në përgjigjen për Reporteri.net.
Lidhur me këtë ngjarje, ka reaguar edhe avokati i Dritan Goxhajt, Bashkim Nikolla, i cili tha se Dritan Goxhaj dhe i ati i tij, Dilaver Goxhaj, kanë luftuar në shërbim të atdheut dhe janë dy luftëtarë për liri.
Ai tha se pas kësaj ngjarjeje fshihen ‘duart e zgjatura’ të Serbisë, që sipas tij, po kërkon të çojë ushtarakët e Kosovës në ‘gijotinën’ e quajtur Tribunali i Hagës.
Arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së, reagon Prokuroria e Tiranës: Ja akuzat që rëndojnë mbi të
“Jam njoftuar nga familjarët e tij pasi isha në një gjyq penal dhe kam lënë gjyqin nga fundi për të shkuar drejt te banesa, ku ishte Dritani vetë, familja e tij. Kërkova shpjegime paraprake dhe mu tha se do i merrja në drejtorinë vendore të Policisë së Tiranës dhe do të firmosja mbi dokumentacionin përkatës. Në vendimin e Gjykatës shënohet për efekt ekstradimi. Me këto informacione dhe personin që e njoh, luftën dhe punën në dobi të atdheut dhe të fjalës së lirë, pasi babë e bir janë 2 ushtarë të UÇK. Në këtë përfundim dal, unë konstatoj këtu duart e zgjatura të Serbisë, për t’i çuar një nga një ushtarët e UÇK në gijotinën speciale të quajtur tribunal. Ekstradimi nuk është procedurë që bëhet menjëherë. Njerëzit nuk janë gurë, kanë të drejta dhe detyrime. E vërteta sado që të zhytet, nuk mbytet. Dritani është një luftëtar që ka duruar edhe makinerinë e plumbave serbe. Këta e ngritën për Hashim Thaçin stekën aq lartë dhe tan ii kërkojnë një e nga një, për të shuajtur zërin e lirisë. Kjo është përtejë një procedure penale. Ka prapavijën që unë e thashë”, është shprehur Nikolla për News24.
Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Faton Klinaku, ka reaguar pasi ish-anëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj, u arrestua me kërkesë të Gjykatës Speciale.
Klinaku ka thënë se arrestimi i Goxhajt është bërë për t’i frikësuar njerëzit që e kundërshtojnë një “gjykatë politike”.
“Në Gjykatën Speciale është penguar drejtësia nga vet ajo, duke i rrjedhur dokumentet e saj, si dhe duke i publikuar “viktimat” e me këtë edhe dëshmitarët. Edhe arrestimi i Dritan Goxhaj, bëhet për t’i frikësuar njerëzit që e kundërshtojnë një gjykatë politike.”- ka shkruar Klinaku në Facebook. /Reporteri.net/