Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se raporti i monitorimit të OECD/SIGMA, dëshmon me fakte domethënëse transformimet e Shqipërisë, duke e pozicionuar si një vend lider në rajon në prokurimet publike, menaxhimin e financave publike, qeverisjen digjitale, menaxhimin e burimeve njerëzore dhe zhvillimin e administratës publike.
Gjatë prezantimit të këtij raporti, Rama shprehu mirënjohjen ndaj SIGMA-s, e cila punon me të dhënat dhe faktet e Ballkanit Perëndimor dhe që është padiskutim një burim i pazëvendësueshëm dijeje.
“Është padiskutim shumë inkurajuese që nga ky burim i padyshimtë për objektivitetin dhe profesionalizmin, ne të marrim vlerësime kaq pozitive. Por është edhe shumë nxitëse që po nga ky burim ne të marrim edhe dije mbi çfarë mbetet për t’u përmirësuar dhe për t’u adresuar”, tha Rama.
Për kryeministrin, ngritja e një administate publike të denjë për familjen e Europës së bashkuar nuk është fjalë goje, por është një ushtrim jashtëzakonisht kompleks.
“Besoj se të qenit në mes të Europës dhe të pasurit të bekimit të të qenit europian me mundësinë për t’u bërë pjesë e BE-së është një e dhënë që garanton optimizmin për të ardhmen, që zor se ua garanton dot diçka apo dikush vendeve me një të kaluar si e jona, që nuk janë në kontinentin europian”, shtoi Rama.
Kryeministri vlerësoi se BE dhe mekanizmat e tij janë e vetmja forcë lëvizëse që mund t’i japin një vendi si i yni me një traditë shumë të varfër në aspektin e institucioneve dhe administratës, instrumentet për të realizuar këtë mision. /ATSH/