Rama: Rrisim pagën minimale në 500 euro, në 2030 do të jetë 650 euro

Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se nga buza e humnerës në vitin 2013, kur PS mori drejtimin e vendit, Shqipëria gjendet sot në prag të shtëpisë së madhe të familjes së bashkuar europiane.

Në takimin elektoral, në Dimal, Rama tha se të gjithë treguesit makroekonomikë të vendit janë përmirësuar ndjeshëm, teksa mbështetja sociale për qytetarët është rritur.

“Kur PS mori drejtimin e vendit, Prodhimi i Brendshëm Bruto ishte më pak se 10 miliardë euro, ndërsa sot ka kaluar mbi 25 miliardë euro. Në Shqipërinë 2030 këtë prodhim të përgjithshëm do ta çojmë në 35 miliardë euro”, u shpreh Rama.

Këto shifra, sipas tij, tregojnë se Shqipëria është në vendin e parë me rritjen më të lartë të PBB-së në dekadën e fundit.

Rama po ashtu theksoi se të ardhurat për frymë janë rritur mbi 3 herë.

“Të ardhurat për frymë ishin 3300 euro. Sot janë 10300 euro dhe në Shqipërinë 2030 do të shkojnë në 15 mijë euro”, tha ai.

Rama deklaroi se programi i forcës politike që ai drejton nuk është elektoral por i mirëllogaritur nga ekspertë të financave dhe ekspertë ndërkombëtarë.

“Ne nuk kemi një program dëshirash as manifest ëndrrash që partitë e tjera përpiqen ti shesin në tregun e fushatës elektorale. Këto janë projeksione të bëra nga ekspertë të MF-së dhe ekspertë ndërkombëtarë që punojnë me ne, se ne kemi një program qeverisës deri në 2030-ën”, deklaroi ai.

Rama u ndal dhe te borxhi publik dhe detyrimet e prapambetura që trashëgoi mazhoranca socialiste.

“Borxhi ishte 70% zyrtarisht, nga më të lartët në rajon, por në të vërtetë ishte më i lartë, pasi ishte një borxh i fshehur. Më shumë se 700 milionë euro ishte borxhi i fshehur, pasi kur ju na dhatë besimin qeveria kishte lënë pa paguar kompanitë e rrugëve, ato të investimeve kapitale e ato të shërbimeve. Spitalet nuk shërbeheshin më me ilaçe, sepse nuk i paguante qeveria e atëhershme kontrata. Shlyem borxhet dhe sot të gjitha kontratat respektohen me përpikëmëri”, tha ai.

Rama informoi se njëkohësisht u ul borxhi publik në 54% dhe deri në 2030 ai do të zbresë nën 50%.

Një tjetër element, ku Rama u ndal ishin kreditë e këqija.

“Ishin 25% dhe ky është momenti kur ndizet drita e kuqe dhe sistemi bankar rrezikon të bjerë. Shqiptarët duke u bërë bashkë shpëtuan Shqiprëinë nga një humnerë e dytë pas asaj të ‘97”, u shpreh kryeministri.

Sipas tij, çdo alternativë tjetër, përveç PS-së, është alternativë e rrezikut për tu kthyer pas, drejt së njëjtës humnerë.

Më tej ai foli për tregun e punës dhe papunësinë.

“Kemi sot nivelin më të ulët historik të papunësisë dhe për herë të parë e kemi ulur nën 10%, e kemi bërë njëshifrore vetëm 8,8%, duke future në skemën e punësimit mbi 300 mijë qytetarë“, theksoi ai.

Nga 1 milion e 23 mijë të punësuar, vijoi ai, sot kemi 1,327 mijë të punësuar.

“Kemi problem të madh me aritmetikën se e filluan me 7 herë 7 baraz 42 dhe kaluan në 7 herë 7 baraz 6 milionë“, nënvizoi Rama.

Kryeministri u shpreh se ka rënie të ndjeshme edhe të përqindjes së të punësuarve me pagë nën 40 mijë lekë.

Sipas tij, ishte gati 60% e njerëzve, sot janë vetëm 14% e njerëzve.
Paga minimale ishte 157 euro, sot është 400 euro. Në janar 2026 do ta çojmë 500 euro dhe në 2030 do të jetë 650 euro”, shtoi Rama.

Sa i takon pagës mesatare në sektorin publik dhe atë privat, Rama tha se ka qenë 322 euro dhe sot ka shkuar 848 euro.

“Në sektorin publik është sot 1 mijë euro dhe do të shkojë 1200 euro në 2030”, deklaroi kryeministri.

Ai foli dhe për pensionet.

“Pensioni mesatar ishte 111 euro, sot është 300 euro dhe në 2030 shkon 400 euro mesatari dhe 200 euro minimale”, tha ai.
Kryeministri u ndal edhe të taksat e punonjësve dhe biznesit.

“57% e të punësuarve nuk paguajnë asnjë taksë për pagën. Sot 93% e tyre paguajnë më pak se 10%. Kur ne morëm detyrën të gjithë paguanin 10%”, shtoi Rama.

Rama komentoi edhe taksimin e biznesit të vogël, ku premtoi politikë me zero taksa deri në 2029. ”Asnjë taksë te biznesi i vogël deri në 2029. Nga heqja e taksës për biznesin e vogël janë 66 milionë euro të kursyera dhe të lëna në xhepat e tyre”, tha ai. /ATSH/

Read Previous

“Himn për futbollin”: Bota po çmendet për ndeshjen Barcelona-Inter

Read Next

VIDEO | Ferrari zbulon makinën për Çmimin e Madh të Miamit